
Startup-i amerikan i mbrojtjes Castelion ka njoftuar se ka fituar kontrata për të integruar armën e saj hipersonike “Blackbeard” në sistemet ekzistuese të Ushtrisë dhe Marinës së SHBA-së.
Ky është një hap i parë drejt vendosjes globale të këtyre armëve të fuqishme dhe pothuajse të pandalshme.
Blackbeard është projektuar për prodhim masiv dhe vendosje të shpejtë, me një kosto shumë më të ulët se armët tradicionale.
Castelion synon të prodhojë mijëra njësi në vit, me një çmim për njësi në rangun e qindra mijëra dollarëve, përcjell Reuters.
Sipas kompanisë, integrimi fillestar do të përqendrohet në sistemin HIMARS (High Mobility Artillery Rocket System), i cili është bërë i njohur globalisht pas përdorimit të tij në luftën në Ukrainë.
Kjo lëvizje vjen në një kohë kur SHBA dhe Kina janë përfshirë në një garë armatimesh për zhvillimin e armëve hipersonike që mund të shmangin mbrojtjet tradicionale dhe të ndryshojnë drejtim gjatë fluturimit me shpejtësi mbi pesëfishin e zërit.
Ndërkohë, edhe kompani të tjera amerikane si Stratolaunch, Raytheon (njësi e RTX) dhe Lockheed Martin janë aktive në këtë fushë, duke konkurruar për kontrata të mëdha me Pentagonin.
Administrata e Presidentit Donald Trump ka parashikuar 25 milionë dollarë në buxhetin e vitit 2026 për projekte të ngjashme integrimi, megjithëse buxheti ende nuk është miratuar nga Kongresi.
Kjo iniciativë përfaqëson një përpjekje për të zgjeruar arsenalin e armëve hipersonike të SHBA-së me opsione më të përballueshme dhe të vendosshme në mënyrë fleksibël, në një kohë kur edhe Rusia dhe Kina po avancojnë programet e tyre në këtë fushë strategjike.