Vendosni fjalën kyçe....

Qeleshi: Sistemi gjyqësor në kolaps, një gjyqtar ka mbi 1500 dosje, në Apel ka 50 mijë dosje stok


Kryetarja e Shoqatës së Avokatëve Penalistë, Joana Qeleshi, komentoi mbrëmjen e sotme ngjarjen e rëndë të vrasjes së gjyqtarit Astrit Kalaja brenda sallës së gjyqit.

E ftuar në emisionin “Kjo Javë” në News24, Qeleshi tha se bëhet fjalë për një veprimn ekstrem, që pasqyron pakënaqësinë e grumbulluar ndaj sistemit të drejtësisë, por theksoi se dhuna nuk mund të jetë kurrë një zgjidhje.

“Nuk mendoj se ngjarja ishte e paralajmëruar. Ka një pakënaqësi të publikut ndaj sistemit të drejtësisë dhe një ngarkesë e tillë shpërthen dikur në një formë. Njerëzit duhet të gjejnë mënyra të tjera për të shprehur pakënaqësinë, ndërsa institucionet duhet të ngrenë zërin për problematikat. Përtej kësaj fatkeqësie dhe humbjes së jetës së kolegut Astrit Kalaja, kjo ngjarje nuk i shërbeu askujt,” tha Qeleshi.

Ajo tha se pas vrasjes së gjyqtarit, janë ndërmarrë disa masa sigurie në gjykata, por sipas saj reaksioni institucional mbetet i pjesshëm dhe jo i qëndrueshëm.

“Pas ngjarjes u verifikua në disa gjykata nëse detektorët e metaleve ishin funksionalë apo duhej zëvendësuar, por nuk mendoj se kjo është qasja e duhur. Nevojitet një strategji ndërinstitucionale me masa të menjëhershme, afatmesme dhe afatgjata, nga përmirësimi i infrastrukturës, te rritja e sigurisë dhe investimi në kushte pune,” shtoi ajo.

Kryetarja e Shoqatës së Avokatëve Penalistë theksoi se sistemi gjyqësor po përballet me mbingarkesë të paprecedent, duke e cilësuar gjendjen “në kolaps”.

“Ka ardhur momenti që shteti të ndërmarrë një verifikim të plotë për të vlerësuar si do zgjidhet situata. Gjyqtarët bëjnë maksimumin, por kanë kapacitete të kufizuara. Asnjë magjistrat sot nuk punon në kushte normale. Një gjyqtar i shkallës së parë ka mbi 1,500 dosje, ndërsa në Apel ka një stok prej 50 mijë dosjesh,” theksoi Qeleshi.

Sipas saj, zgjidhja duhet të vijë përmes ndryshimit së thelluar, investimeve në infrastrukturë dhe përmirësimit të kushteve të punës për magjistratët, në mënyrë që sistemi të funksionojë me efikasitet dhe të rikthejë besimin e qytetarëve.