Vendosni fjalën kyçe....

Bardhi: OSBE/ODIHR çertifikoi farsën e 11 majit, Balluku shembulli më flagrant i shkeljeve zgjedhore


Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka deklaruar se raporti final i OSBE/ODIHR-it e çertifikon 11 majin si një farsë të plotë elektorale, duke theksuar se vëzhguesit ndërkombëtarë kanë evidentuar përdorimin e burimeve shtetërore dhe presionin ndaj punonjësve publikë në favor të Partisë Socialiste.

Sipas Bardhit, “Raporti final i OSBE/ODIHR-it fakton pa asnjë ekuivok se zgjedhjet parlamentare të 11 majit ishin një farsë e plotë elektorale. Vëzhguesit ndërkombëtarë konfirmojnë se Partia në pushtet përfitoi nga përdorimi i gjerë i burimeve administrative dhe ndikimit institucional, duke e zhdukur vijën ndarëse midis shtetit dhe partisë”.

Në deklaratën e tij, Bardhi theksoi se dokumenti ndërkombëtar përmend raste konkrete ku “u vunë re akuza për ushtrimin e presionit ndaj punonjësve publikë, raste të frikësimit të mbështetësve të opozitës dhe keqpërdorimi i rrjeteve të patronazhimit, gjë që nuk përputhet me standardet ndërkombëtare”.

Ai shtoi se shembulli më i qartë i këtyre shkeljeve është qarku i Fierit dhe drejtuesja politike e PS-së për këtë zonë, Belinda Balluku.

Shembulli më flagrant i farsës elektorale të 11 majit është qarku i Fierit dhe drejtuesja politike e Partisë Socialiste, Belinda Balluku, e cila sillet në raport në shumë raste për të ilustruar shkeljet e rënda të standardeve demokratike të zgjedhjeve”, tha Bardhi.

Duke komentuar pjesë të raportit, Bardhi akuzoi Ballukun se ka përdorur aparatin shtetëror për qëllime elektorale.

Belinda Balluku dhe banda e saj elektorale përdorën burimet shtetërore, administratën publike, Policinë e Shtetit dhe grupet kriminale për të intimiduar, kërcënuar dhe frikësuar me qëllim për të tjetërsuar vullnetin e qytetarëve të Fierit brenda dhe jashtë vendit”, u shpreh ai.

Bardhi shtoi se raporti i OSBE/ODIHR-it është një shuplakë e fortë për task forcën SPAK–KQZ–Prokuroria e Përgjithshme, e cila dështoi të konstatonte shkeljet e rënda të ligjit të Belinda Ballukut dhe bandës së saj elektorale.

 

Postimi: