
Një përplasje e ashpër mes policisë irlandeze dhe protestuesve në Dublin përfundoi me arrestimin e 23 personave, pas disa orësh trazira të dhunshme pranë një hoteli që strehon azilkërkues, përcjell Guardian.
Sipas mediave britanike, përleshjet ndodhën për të tretën natë radhazi në zonën e Citywest, ku qindra persona u mblodhën pas një sulmi të dyshuar seksual ndaj një vajze 10-vjeçare.
Dy efektivë të Gardës irlandeze (An Garda Síochána) u dërguan në spital me plagë në kokë dhe shpatull, pasi u goditën me shishe, gurë e fishekzjarrë.
Në përpjekje për të shpërndarë turmën, policia përdori njësinë e rendit publik, e pajisur me mburoja plastike dhe pajisje mbrojtëse. Protestuesit hodhën objekte të forta dhe ndezën flakadanë, ndërsa u raportua edhe për dëmtime të linjës së tramvajit në afërsi të hotelit.
Ministri i Drejtësisë, Jim O’Callaghan, dënoi dhunën duke e cilësuar atë “të turpshme dhe kriminale”, ndërsa paralajmëroi se “të gjithë përgjegjësit do të përballen me drejtësinë”.
Komisioneri i Policisë, Justin Kelly, tha se trazirat nuk kishin të bënin me një protestë paqësore, por me “veprime të dhunshme për të frikësuar banorët dhe për të dëmtuar ndërtesën”.
Edhe kryeministri (taoiseach) Micheál Martin reagoi ashpër, duke deklaruar se “nuk ka asnjë justifikim për sulmet ndaj policisë”.
Protestuesit, disa prej të cilëve mbanin flamuj irlandezë dhe brohorisnin slogane kundër emigrantëve, u përpoqën të çanin kordonin e policisë, ndërsa një helikopter u godit me lazer.
Autoritetet irlandeze njoftuan se hetimet vazhdojnë dhe se priten arrestime të tjera lidhur me dhunën e ndodhur në periferi të Dublinit.