Vendosni fjalën kyçe....

Tiranë/ Përshtatën banesën për prostitucion, arrestohet 22-vjeçari dhe dy vajza kolumbiane


Policia e Tiranës ka goditur një rast të shfrytëzimit të prostitucionit, duke arrestuar tre persona dhe vënë nën hetim dy të tjerë, në kuadër të operacionit të koduar “Apartamenti”.

Në pranga ka rënë Kejvi Pocaj, 22 vjeç, banues në Tiranë, i cili akuzohet se shfrytëzonte për prostitucion katër vajza nga Kolumbia.

Bashkë me të, janë arrestuar edhe dy prej vajzave kolumbiane, Juliana Ospina, 20 vjeçe, dhe Lorena Crespo, 27 vjeçe, pasi kishin përshtatur apartamentin që kishin marrë me qira në Rrugën e Barrikadave, për ushtrimin e prostitucionit.

Ndërkohë, nën hetim janë vendosur dy shtetase të tjera kolumbiane, K. R., 23 vjeçe, dhe A. A., 21 vjeçe, të cilat akuzohen për veprën penale “Prostitucioni”.

Sipas njoftimit të policisë, hetimet e kryera nga Seksioni për Hetimin e Trafiqeve, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, zbuluan se apartamenti ishte përshtatur posaçërisht për këtë aktivitet të paligjshëm.

“Identifikohet dhe arrestohet një 22-vjeçar që shfrytëzonte 4 shtetase kolumbiane për prostitucion. Vihen në pranga 2 nga këto shtetase, pasi kishin përshtatur apartamentin ku banonin bashkë me 2 të tjera, për ushtrimin e prostitucionit. Procedohen penalisht edhe 2 shtetaset e tjera që ushtronin prostitucion,” thuhet në njoftimin zyrtar të policisë.

Operacioni “Apartamenti” është pjesë e një sërë veprimesh të policisë për goditjen e aktiviteteve të paligjshme të prostitucionit dhe trafikimit të personave në kryeqytet. Hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të rastit dhe për identifikimin e mundshëm të personave të tjerë të përfshirë.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme ligjore.