Vendosni fjalën kyçe....

Tabaku: Aeroporti i Vlorës, një tjetër aferë qeveritare që shkatërroi Nartën dhe grabiti paratë publike


Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka rikthyer sot në vëmendje një nga projektet më të debatueshme të qeverisë ndërtimin e Aeroportit të Vlorës në zonën e mbrojtur të Nartës.

Në një deklaratë publike, Tabaku kujton se tre vite më parë zhvilloi një interpelancë me Ministren e Mjedisit dhe Turizmit, Mirela Kumbaro, pasi kishte ngritur me kohë shqetësimin se projekti po realizohej në kundërshtim me ligjin dhe në dëm të mjedisit.

“Aeroporti po ndërtohej në zemër të një zone të mbrojtur, ku raportet mjedisore ishin manipuluar për të justifikuar shkatërrimin e ligatinës së Nartës, duke rrezikuar specie të rralla dhe gjithë biosistemin,” — deklaron Tabaku.

Deputetja demokrate thekson se projekti u prezantua si një investim strategjik prej 138 milionë eurosh, por në realitet ishte një tjetër skemë e garancive shtetërore dhe riskut publik:

Vetëm 30% e fondeve ishin të investitorëve privatë;

70% u mbulua përmes kredive të garantuara indirekt nga shteti;

Ndërsa shteti mban mbi vete rrezikun e kompensimit për mungesë trafiku, me 9.8 milionë euro në vit.

Sipas Tabakut, kompania që fitoi koncesionin shiti menjëherë aksionet pas nënshkrimit të kontratës, duke përfituar pa kryer asnjë investim real.

“Kjo nuk është një histori e re. Është historia e një koncesioni të fituar në mënyrë korruptive, ku pas pak vitesh shiten e blihen aksionet për pak lekë,” — vijon ajo.

Tabaku kujton se edhe Komisioni Europian dhe Parlamenti Europian kanë reaguar për këtë çështje, duke e cilësuar si shkelje të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit (MSA) dhe të rregullave të BE-së për zonat e mbrojtura.

Në përfundim, deputetja kërkon hetim ndaj ministres së Infrastrukturës Belinda Balluku dhe ministres së Mjedisit Mirela Kumbaro, për mënyrën si u firmos kontrata dhe për manipulimin e dëgjesave publike.

Sot kur dëgjoj debate mes aksionerëve, dua t’u kujtoj qytetarëve se gjithçka filloi këtu, më shumë se tre vite më parë. Pyetja nuk është kush bleu aksionet, por pse ende nuk ka një hetim për ata që e firmosën këtë aferë,” — nënvizon Tabaku.

Ndërsa ndau një video të 3 viteve më parë nga salla e konferencave në Parlament!