Vendosni fjalën kyçe....

Kompanitë shtetërore kineze pezullojnë blerjen e naftës ruse pas sanksioneve të Trump


Kompanitë shtetërore kineze të naftës kanë pezulluar blerjet e naftës ruse të transportuar nga deti, pasi Shtetet e Bashkuara vendosën sanksione ndaj Rosneft dhe Lukoil, dy kompanitë më të mëdha të naftës në Moskë, thanë burime të shumta tregtare të enjten.

Ky veprim vjen pasi rafineritë në Indi, blerësi më i madh i naftës ruse të transportuar nga deti, pritet të shkurtojnë ndjeshëm importet e tyre të naftës së papërpunuar nga Moska, për t’u pajtuar me sanksionet e SHBA-së të vendosura lidhur me luftën e Rusisë në Ukrainë. Një rënie e mprehtë e kërkesës për naftë nga dy klientët më të mëdhenj të Rusisë do vërë në vështirësi të ardhurat e Moskës nga nafta dhe do detyrojë importuesit kryesorë të botës të kërkojnë furnizime alternative dhe të rrisin çmimet globale.

Kompanitë kombëtare kineze të naftës PetroChina, Sinopec, CNOOC dhe Zhenhua Oil do frenojnë tregtimin e naftës ruse të transportuar nga deti të paktën në afat të shkurtër për shkak të shqetësimit rreth sanksioneve, thanë burimet.

Katër kompanitë nuk iu përgjigjën menjëherë kërkesave për koment.

Ndërsa Kina importon afërsisht 1.4 milionë fuçi naftë ruse në ditë nëpërmjet detit, pjesa më e madhe e saj blihet nga rafineritë e pavarura, duke përfshirë operatorët e vegjël të njohur si “teapots” (çajnikë), megjithëse vlerësimet e blerjeve nga rafineritë shtetërore variojnë shumë.

Vortexa Analytics vlerësoi blerjet e naftës ruse nga firmat shtetërore kineze në më pak se 250,000 fuçi në ditë për nëntë muajt e parë të 2025-ës, ndërsa kompania këshilluese Energy Aspects e vendosi atë në 500,000 fuçi në ditë.

Rosneft dhe Lukoil shesin pjesën më të madhe të naftës së tyre në Kinë nëpërmjet ndërmjetësve në vend që merren drejtpërdrejt me blerësit, thanë tregtarët, shkruan Reuters.

Ndërkohë, rafineritë e pavarura ka të ngjarë të ndalojnë blerjet për të vlerësuar ndikimin e sanksioneve, por sërish do kërkojnë të vijojnë blerjet e naftës ruse, thanë disa tregtarë.

Kina gjithashtu importon afërsisht 900,000 fuçi naftë ruse në ditë nëpërmjet tubacioneve, të gjitha shkojnë në PetroChina, e cila sipas disa tregtarëve ka të ngjarë të preket pak nga sanksionet.

Pritet që India dhe Kina t’i drejtohen furnizimeve të tjera, duke rritur çmimet për naftën e pa-sanksionuar nga Lindja e Mesme, Afrika dhe Amerika Latine, thanë tregtarët.