
Tre nga grupet më të mëdha të hapësirës në Evropë, Airbus, Thales dhe Leonardo, kanë njoftuar një marrëveshje paraprake për të bashkuar aktivitetet e tyre në prodhimin dhe shërbimet satelitore, në përpjekje për të rivalizuar rritjen e shpejtë të rrjetit Starlink të Elon Musk.
Kompania e re, që do të ketë bazën në Francë dhe pritet të nisë nga viti 2027, do të punësojë 25,000 persona dhe të gjenerojë të ardhura prej 6.5 miliardë eurosh.
Airbus do të mbajë fillimisht 35% të aksioneve, ndërsa Thales dhe Leonardo nga 32.5% secila, me planin që përmes pagesave balancuese të barazohen në një të tretë për secilin aksioner.
Ministri francez i Financave, Roland Lescure, e cilësoi marrëveshjen si një hap që “forcon sovranitetin evropian në një kontekst konkurrencë globale të ashpër”.
Kompania e re do të përfshijë aktivitetet e Thales Alenia Space dhe Telespazio, si dhe një sërë njësish të Airbus dhe Leonardo në fushën e hapësirës dhe teknologjisë digjitale.
Projekti, i koduar si “Project Bromo”, është krahasuar me modelin e bashkëpunimit të MBDA, prodhuesit evropian të raketave.
Thales dhe Leonardo panë rritje mbi 2% në bursë pas lajmit, ndërsa aksionet e Airbus u rritën lehtë, përcjell Reuters.
Pas një periudhe negociatash të vështira gjatë verës, marrëveshja u arrit mes tri kompanive që kanë pasur marrëdhënie të tensionuara në të kaluarën.
Ekzekutivët premtuan të shmangin rotacionin e drejtimit dhe emërimet sipas kombësisë, një praktikë që ka sjellë përplasje në industrinë evropiane të hapësirës, veçanërisht te Airbus.
“Telekomunikacioni në hapësirë mbetet nën presion, kjo është e qartë. Fakti që kemi kontratën e parë për rrjetin IRIS² nuk e zbeh sfidën që industria evropiane po përballet”, tha CFO i Thales, Pascal Bouchiat.
Marrëveshja është ende në fazë paraprake dhe do të duhet të kalojë përmes një procesi rregullator që përfshin Komisionin Evropian, qeveritë dhe sindikatat në Francë, Itali, Gjermani dhe Britani.