
Policia e Fierit ka vënë në pranga 31-vjeçarin Jashar Çepele, i cili akuzohet se merrej me shpërndarjen e lëndëve narkotike në zona të ndryshme të qarkut, kryesisht në Roskovec.
Arrestimi u bë gjatë operacionit policor të koduar “Casus”, që u finalizua nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Forcën Operacionale.
Gjatë kontrolleve fizike dhe në banesën e tij, shërbimet e policisë gjetën dhe sekuestruan 3.6 kilogramë kanabis, një pjesë e të cilit ishte ndarë në doza gati për shitje, si dhe një peshore elektronike, një shumë parash të dyshuar të përfituara nga aktiviteti kriminal dhe dy telefona celularë.
Sipas njoftimit zyrtar, hetimet u zhvilluan pas një informacioni të siguruar në rrugë operative për përfshirjen e shtetasit në tregtimin e lëndëve narkotike në Fier dhe Roskovec.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme ligjore ndaj të arrestuarit.