Vendosni fjalën kyçe....

Berisha në trajnimin për deputetët e rinj: Mos shkelmoni parimet themelore të lirive dhe të drejtave të njeriut


Partia Demokratike ka nisur programin e trajnimit për deputetët e rinj të grupit të saj parlamentar.

Në fjalën e mbajtur gjatë aktivitetit, kreu i PD-së, Sali Berisha, e cilësoi funksionin e deputetit si një nga rolet më të veçanta që mund të ushtrojë një njeri gjatë jetës politike, duke u dhënë një këshillë ligjvënësve të rinj.

 “Mos shkelmoni parimet themelore të lirive dhe të drejtave të njeriut.”- u tha ai.

Berisha u ndal edhe tek vështirësitë me të cilat përballen deputetët në ushtrimin e detyrës, duke theksuar mungesën e mbështetjes institucionale nga Parlamenti.

“Për çdo njeri që ka ambicien më të vogël politike, qenia deputet është realizimi i një ëndrre, ndër më të bukurat e jetës. Shumë funksione mund të rrjedhin gjatë jetës, por si ai i deputetit nuk është asnjë. Uroj që ky funksion të bëhet një bazë e fuqishme për ndërtimin e një karriere të denjë politike. Deputeti ka shansin e madh që në tempullin e Kuvendit të formohet si një orator i shkëlqyer, sepse nuk ka platformë më dinjitoze se ajo e Parlamentit për të treguar oratorinë tuaj,” deklaroi ai.

Kreu i PD-së kritikoi ashpër mënyrën se si është organizuar puna në Kuvend, duke e cilësuar Parlamentin “skeletik” dhe të pamundur për të ofruar infrastrukturën e nevojshme për përfaqësuesit e popullit.

“Ju jeni deputetë me duar në xhepa, nuk keni asnjë staf, as për kontaktet me zgjedhësit, as për mbështetjen e veprimtarisë tuaj në Kuvend. Ky është një Parlament skeletik. Ka njerëz që marrin 220 mijë rroga në administratë, ndërsa sheh parlamentarë pa asnjë ndihmës, ose të paktën 2-3 me një zyrë dhe një asistent. Kjo është si ta përthash Parlamentin,” theksoi Berisha.