Vendosni fjalën kyçe....

Trump kërkon 230 milionë dollarë dëmshpërblim nga qeveria për hetimet e kaluara


Presidenti Donald Trump ka deklaruar se është vetë ai që vendos nëse administrata e tij duhet t’i paguajë 230 milionë dollarë dëmshpërblim për hetimet federale që janë zhvilluar ndaj tij gjatë dhe pas mandatit të parë.

Duke folur nga Shtëpia e Bardhë, Trump tha se çdo vendim për kompensim “do të duhet të kalojë nëpërmjet tavolinës sime”.

Ai pretendon se qeveria i detyrohet “shumë para” për hetimet e Departamentit të Drejtësisë, përfshirë kontrollin e FBI-së në rezidencën e tij Mar-a-Lago dhe hetimin për ndërhyrjen ruse në zgjedhjet e vitit 2016.

Është interesante, sepse unë jam ai që merr vendimin, apo jo?” tha Trump, duke pranuar absurditetin e situatës ku ai si president do të vendosë nëse ai si paditës duhet të kompensohet nga taksapaguesit për hetimet ndaj tij si i dyshuar, përcjell The Guardian.

Trump ka paraqitur dy kërkesa për kompensim sipas Aktit Federal për Kërkesat për Dëmshpërblim (Federal Tort Claims Act), një ligj i vitit 1946 që u lejon qytetarëve të kërkojnë dëmshpërblim nga qeveria për veprime të padrejta nga punonjësit federalë.

Megjithatë, ky akt përjashton kërkesat që lidhen me veprime diskrecionale apo politike, çka e bën të pamundur që një president të kompensohet për hetime ligjore ndaj vetes.

Një nga kërkesat, e paraqitur në gusht 2024, akuzon FBI-në për “ndjekje penale të qëllimshme” lidhur me kontrollin në Mar-a-Lago dhe akuzat për mbajtje të dokumenteve të klasifikuara. Kërkesa tjetër lidhet me hetimin për lidhje të mundshme mes fushatës së Trump dhe Rusisë në vitin 2016.

Trump tha se nuk e di saktësisht shumën që po kërkon dhe se nuk ka diskutuar çështjen me zyrtarët.

 “Gjithçka që di është se ata do të më detyrohen shumë para”, u shpreh ai.

Ndërkohë, figura kyçe nga ekipi ligjor i Trump tani mbajnë poste të larta në Departamentin e Drejtësisë, përfshirë Todd Blanche si zëvendësprokuror i përgjithshëm dhe Stanley Woodward si prokuror i asociuar, gjë që ka ngritur shqetësime për konflikt interesi në shqyrtimin e këtyre kërkesave.

Zëdhënësi i Departamentit të Drejtësisë, Chad Gilmartin, deklaroi se “në çdo rrethanë, të gjithë zyrtarët ndjekin udhëzimet e zyrtarëve të karrierës për etikën”.