Vendosni fjalën kyçe....

Sekretari amerikan i Shtetit pritet të vizitojë Izraelin këtë të enjte



Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, pritet të mbërrijë të enjten në Izrael për një vizitë 48-orëshe, në kuadër të përpjekjeve të reja diplomatike të Shteteve të Bashkuara për të përshpejtuar procesin drejt një marrëveshjeje të qëndrueshme në Gaza, përcjell JPost.

Vizita e tij vjen vetëm dy ditë pas mbërritjes në Tel Aviv të nënpresidentit amerikan JD Vance, ndërsa në Izrael ndodhen gjithashtu të dërguarit e posaçëm të presidentit Donald Trump, Jared Kushner dhe Steven Witkoff.

Në prag të udhëtimit, Rubio ka dhënë disa deklarata për mediat amerikane lidhur me ecurinë e bisedimeve për armëpushimin dhe për situatën në Gaza.

“Lufta në Gaza nuk ka përfunduar ende. Prioriteti ynë i menjëhershëm është lirimi i pengjeve që mbahen nga Hamasi,” – tha Rubio, duke konfirmuar se grupi palestinez “ka pranuar në parim” propozimin amerikan për një kornizë marrëveshjeje që përfshin lirimin e pengjeve dhe hapjen e korridoreve humanitare.

Rubio shtoi se faza e dytë e procesit – ajo e ndërtimit të një qeverisjeje të qëndrueshme në Gaza pas konfliktit – do të jetë “shumë më sfiduese” dhe kërkon angazhim të gjatë ndërkombëtar.

“Qëllimi ynë është i qartë: Hamasi nuk mund të vazhdojë të funksionojë as si forcë ushtarake, as si ent politik në Gaza. Por kjo duhet të ndodhë pa e lënë popullin palestinez në mëshirë të fatit,” – theksoi Rubio, duke pranuar se situata humanitare mbetet “tejet e rëndë”.

Sipas tij, Shtetet e Bashkuara po punojnë ngushtë me qeverinë izraelite dhe me partnerët arabë për të gjetur një zgjidhje afatgjatë që garanton sigurinë e Izraelit dhe stabilitetin rajonal.

Vizita e Rubios vjen në një moment të ndjeshëm për rajonin, ku tensionet mbeten të larta pavarësisht përpjekjeve diplomatike për paqe. Ai pritet të takohet me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu dhe me drejtues të tjerë të lartë të qeverisë, ndërsa do të zhvillojë takime edhe me përfaqësues të OKB-së dhe agjencive humanitare në Tel Aviv dhe Jerusalem.