Kryeministri izraelit Netanyahu e shkarkoi kreun e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, Tzachi Hanegbi, të martën, duke e bërë atë të fundit në një listë në rritje të zyrtarëve të lartë izraelitë që largohen nga postet e tyre në vitin që ka kaluar që nga sulmi i Hamasit më 7 Tetor.
Me largimin e Hanegbi-t, Netanyahu mbetet e vetmja figurë e lartë që as ka dhënë dorëheqjen, as ka dhënë përgjigje për dështimet e asaj dite, edhe pse pothuajse çdo udhëheqës kryesor i sigurisë ose ka dhënë dorëheqjen, ose është larguar.
Këshilli i Sigurisë Kombëtare, i themeluar pas Luftës së Jom Kipurit në 1973 për të bashkërenduar dhe planifikuar politikën e sigurisë kombëtare të Izraelit, është përgjegjës për këshillimin e qeverisë dhe mbikëqyrjen e Byrosë Kundër Terrorizmit. Hanegbi, një figurë veterane e partisë Likud dhe aleat i hershëm i Netanyahut, u emërua në këtë post në dhjetor 2022.
Largimi i tij nuk erdhi për shkak të përgjegjësisë direkte për dështimet e 7 Tetorit, por thuhet se ka ardhur për shkak të mosmarrëveshjeve në rritje të politikave me kryeministrin. Në takimet e fundit të kabinetit, Hanegbi kundërshtoi ripushtimin e Qytetit të Gazës, mbështeti një marrëveshje me faza për pengjet me Hamasin dhe kundërshtoi autorizimin e “Gideon Chariots B,” një operacion i zgjeruar i IDF-së. Ai gjithashtu nuk iu bashkua vizitës së fundit të Netanyahut në Uashington.
Hanegbi njoftoi vetë largimin e tij, jo zyra e kryeministrit. Në një deklaratë të martën në mbrëmje, ai shkroi se “dështimi i tmerrshëm i 7 Tetorit, në të cilin unë ndaj përgjegjësinë, duhet të hetohet tërësisht për të siguruar që të nxirren mësimet e duhura dhe për të ndihmuar në rivendosjen e besimit publik që është thyer.”
Modeli i shkarkimeve nga Netanyahu
Që kur filloi lufta, Netanyahu ka shkarkuar dy zyrtarë të lartë të sigurisë: shefin e Shin Bet, Ronen Bar, dhe ish-ministrin e Mbrojtjes, Yoav Gallant. Të dy shkarkimet iu atribuuan nga Netanyahu asaj që ai e përshkroi si “një mungesë besimi në rritje.”
Bar, shefi i inteligjencës së brendshme, u thirr në mars në një takim ku Netanyahu e informoi për shkarkimin e tij, duke përmendur “një mungesë besimi të vijueshme dhe në rritje.” Shkarkimi erdhi mes tensioneve për kritikën e Bar-it ndaj politikës qeveritare dhe të ashtuquajturës hetim i “Qatargate:, që përfshinte akuza për negociatat e pengjeve.
Bar tha më pas se ai tashmë kishte planifikuar të merrte përgjegjësinë para se të përfundonte mandati i tij dhe se “është e qartë se shkarkimi im nuk është për shkak të 7 Tetorit.” Ai akuzoi qeverinë se anashkaloi paralajmërimet e përsëritura të Shin Bet në vitin para sulmit të Hamasit.
Gallant, i shkarkuar për herë të dytë në nëntor 2024, ishte përplasur më parë me Netanyahun për legjislacionin e reformës gjyqësore. Duke njoftuar largimin e tij, Netanyahu tha se “besimi i plotë midis kryeministrit dhe ministrit të Mbrojtjes” ishte thelbësor gjatë kohës së luftës. Gallant u përgjigj: “Siguria e Shtetit të Izraelit ishte dhe gjithmonë do mbetet misioni i jetës sime.”
Valë dorëheqjesh për 7 Tetorin
Ndryshe nga kryeministri, shumica e zyrtarëve të lartë ushtarakë dhe të inteligjencës së Izraelit kanë dhënë dorëheqjen ose kanë kërkuar pension të parakohshëm, duke përmendur përgjegjësinë e tyre për dështimet e 7 Tetorit.
Në janar, Shefi i Shtabit të IDF-së, Gjeneral Lejtnant Herzi Halevi, informoi ministrin e Mbrojtjes Israel Katz se do largohej “në njohje të përgjegjësisë sime për dështimin e IDF-së më 7 Tetor.” Në letrën e tij të dorëheqjes, Halevi shkroi se “në mëngjesin e 7 Tetorit, IDF nën komandën time dështoi në misionin e saj për të mbrojtur qytetarët e Izraelit. Vendi pagoi një çmim të rëndë në jetë, në robër, dhe në ata të plagosur në trup dhe shpirt.” Halevi tha se përgjegjësia për fatkeqësinë “do më shoqërojë ditë pas dite, orë pas ore, për pjesën tjetër të jetës sime.”
Në një ceremoni lamtumire në rajonin kufitar të Gazës, Halevi mori sërish përgjegjësinë, bëri thirrje për një komision të jashtëm hetimor dhe u zotua se IDF do kryente “hetimet e vërteta.”
Menjëherë pas njoftimit të Halevi-t, shefi i Komandës Jugore, Gjeneral Major Yaron Finkelman, i tha atij se edhe ai do jepte dorëheqjen.
“Më 7 Tetor unë dështova në misionin tim për të mbrojtur Negevin perëndimor dhe banorët e tij të dashur,” shkroi Finkelman.
“Ky dështim është gdhendur tek unë përgjithmonë.”
Në prill 2024, kreu i Drejtorisë së Inteligjencës Ushtarake, Gjeneral Major Aharon Haliva, gjithashtu dha dorëheqjen, duke marrë “përgjegjësinë e plotë për dështimin e inteligjencës” që lejoi sulmin e befasishëm të Hamasit.
“Drejtoria e Inteligjencës nën komandën time nuk e përmbushi misionin e tij,” shkroi ai. Haliva e kishte pranuar publikisht pjesën e tij të përgjegjësisë vetëm dhjetë ditë pas fillimit të luftës, duke u bërë zyrtari i parë i lartë që e bëri këtë.
Një mesazh i ngjashëm erdhi në mars nga Gjeneral Major Oded Basiuk, kreu i Drejtorisë së Operacioneve të IDF-së.
Gjeneral Brigade Avi Rosenfeld, komandant i Divizionit të Gazës, njoftoi dorëheqjen e tij në Qershor 2024.
Më parë këtë muaj, Gjeneral Major Nimrod Aloni – i cili kishte komanduar Divizionin e Gazës një vit para sulmit të Hamasit – përfundoi shërbimin e tij si kreu i Korpusit të Thellësisë.
Oficerë të Lartë që do largohen së shpejti
Largimet kanë vijuar. Komandanti i Forcave Ajrore, Gjeneral Major Tomer Bar, pritet të përfundojë mandatin e tij katërvjeçar së shpejti. Gjeneral Major Ghassan Alian, kreu i Koordinatorit të Aktiviteteve Qeveritare në Territore (COGAT), ka kërkuar të mos i zgjatet mandati përsëri.
Netanyahu nën sulm
Pavarësisht dorëheqjeve dhe shkarkimeve të shumta, Netanyahu ka kundërshtua të pranojë përgjegjësi personale për dështimet e 7 Tetorit. Në maj, duke iu përgjigjur një pyetjeje nga Ynet, ai tha: “Unë jam në luftë. A doni zgjedhje tani?”
Shkarkimi i Hanegbi-t tani e vendos Netanyahun si udhëheqësin e vetëm kryesor nga epoka e 7 Tetorit që është ende në detyrë – një pozicion që nënvizon vendosmërinë e tij për të qëndruar në pushtet ndërsa pasojat politike dhe ushtarake nga sulmi i Hamasit vazhdojnë të ripërcaktojnë lidershipin e Izraelit.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Ynet




