
Një aksident i rëndë rrugor ka tronditur Ugandën, ku të paktën 63 persona kanë humbur jetën dhe disa të tjerë kanë mbetur të plagosur, pasi dy autobusë u përplasën kokë më kokë në një nga autostradat më të frekuentuara të vendit, përcjell Reuters.
Ngjarja ndodhi pak pas mesnate, në rrugën që lidh kryeqytetin Kampala me qytetin verior Gulu, bëri të ditur policia e Ugandës në një deklaratë zyrtare.
Sipas hetimeve paraprake, aksidenti ndodhi kur të dy autobusët, që udhëtonin në drejtime të kundërta, tentuan të parakalonin automjete të tjera, përfshirë një kamion dhe një automjet sportiv (SUV).
“Në momentin e manovrës për parakalim, autobusët u përplasën kokë më kokë, duke shkaktuar viktima në të gjitha automjetet e përfshira,” njoftoi Policia e Ugandës në platformën X.
Autoritetet kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të tragjedisë, ndërsa ekipet e shpëtimit ndodhen në vendngjarje për të ndihmuar të mbijetuarit dhe për të identifikuar viktimat.