Vendosni fjalën kyçe....

Balliu: Shqipëria po fundoset në pasiguri, Ministria e Brendshme është kthyer në bashkëpunëtore të krimit


Deputeti i Partisë Demokratike, Klevis Balliu, ka reaguar me tone të forta ndaj Ministrisë së Brendshme, duke e akuzuar për përgjegjësi direkte në përkeqësimin e ndjeshëm të sigurisë publike në vend.

Në një postim në rrjetet sociale, Balliu u shpreh se ndërsa kriminaliteti po rritet, qeveria dhe institucionet e rendit po merren me propagandë në vend që të garantojnë jetën dhe sigurinë e qytetarëve.

“Ndërkohë që krimi po shkatërron Shqipërinë, Ministria e Brendshme merret me propagandë. Si pasojë, siguria në vend ka rënë ndjeshëm,” shkruan Balliu.

Deputeti demokrat shton se Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit “kanë humbur rolin e tyre si garantë të rendit dhe janë kthyer në bashkëpunëtorë të krimit”.

Ai ngre alarmin për shtimin e personave të armatosur që qarkullojnë lirshëm në territor, duke e konsideruar këtë një tregues të qartë të dështimit të shtetit ligjor.

“Si është e mundur që në një shtet anëtar të NATO-s, kaq shumë qytetarë të armatosur qarkullojnë të lirë, pa asnjë kontroll nga institucionet e rendit?” – pyet Balliu, duke e cilësuar situatën “të papranueshme dhe alarmante”.

Sipas tij, Ministria e Brendshme “refuzon prej kohësh të përgjigjet ndaj thirrjeve të Komisionit të Sigurisë dhe të Mbrojtjes në Kuvend”, për të dhënë llogari mbi gjendjen e kriminalitetit dhe mungesën e kontrolleve efektive.

Në përfundim, Balliu thekson se Shqipëria po “fundoset në pasiguri”, ndërsa qeveria, në vend që të ndërhyjë, “mbyll sytë përpara krimit dhe i kthen institucionet e rendit në vegla politike”.