Vendosni fjalën kyçe....

Tabaku akuza PS: Po godet Kushtetuesen, Rama kërkon pushtetin përmes forcës


Deputetja e PD-së Tabaku akuzoi deputetët e PS-së dhe qeverinë e kryeministrit Rama se kërkon ta kontrollojë pushtetin përmes forcës.

Në fjalën e saj në konferencën “30 vite partneritet e progres-Shqipëria, Këshilli i Evropës dhe Komisioni i Venecias”, Tabaku tha se shumica po rrënon shtetin e së drejtës dhe po godet Gjykatën Kushtetuese.

“Por ajo që është edhe më shqetësuese është fakti se, ndonëse juristët dhe konstitucionalistët shqiptarë e dinë mirë rrugën e duhur, shumica politike zgjedh rrugën e forcës. Ajo e konsideron pushtetin si diçka që duhet zgjeruar përmes kontrollit, e jo forcuar përmes ekuilibrit. Kështu, siç po shohim edhe këto javë, përpjekjet për të ndikuar mbi përbërjen dhe integritetin e Gjykatës Kushtetuese vazhdojnë. Ndërprerja e mandatit të një anëtari të Gjykatës Kushtetuese që ka përfaqësuar vendimet e minorancës është ndërhyrje e hapur në përbërjen e Gjykatës Kushtetuese. Sa herë që vendimet pritet të jenë të rëndësishme, nis presioni për ndryshime, për ndërprerje mandati apo për delegjitimim të institucioneve që nuk i shërbejnë shumicës. Ky instrumentalizim dhe kjo politikë e dy standardeve përbëjnë sot rrezikun më të madh për drejtësinë kushtetuese. Sepse sa herë që shumica ka frikë nga drejtësia, kërkon t’i heqë shtyllën kurrizore Gjykatës Kushtetuese. Ndërprerja e mandateve kushtetuese, mosrespektimi i hierarkisë institucionale për dekretet e Presidentit, apo refuzimi për të zbatuar vendime të qarta të Gjykatës janë shembuj të qartë të kësaj logjike të rrezikshme”, tha Tabaku.