Vendosni fjalën kyçe....

SPAK pushoi hetimet, Apeli e urdhëron të hetojë kryebashkiaken e Lushnjës Eriselda Sefa


Apeli i Gjykatës së Posaçme ka urdhëruar SPAK-un të hetojë kryebashkiaken socialiste të Lushnjës, Eriselda Sefa. Ajo është nën hetim prej 30 shtatorit, pas një kallëzimi të një qytetari nga Lushnja për falsifikim dokumentesh e veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës.

SPAK ishte shprehur për pushimin e çështjes duke marrë edhe aprovimin e Shkallës së Parë, por qytetari me inicialet A.H ka insistuar në Apel përmes ankimit që Sefa duhet të hetohet.

Sipas kallëzuesit, Sefa ka kryer shkelje në procedurën e ndjekur për dhënien me qira të një pasurie publike në qendër të qytetit, ku pretendon se janë kryer veprime në kundërshtim me ligjin nga ajo dhe Këshilli Bashkiak Lushnje dhe Sefa, shkruan Shqiptarja.

Njoftimi i Gjykatës

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtare Miliana Muça, më datë 30.09.2025, shpalli vendimin mbi çështjen penale nr. 195 akti, datë 02.09.2025 regjistrimi, mbi ankimin e shtetasit A.H., me objekt: “Ankim ndaj vendimit nr. 268, datë 04.06.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me objekt: Shfuqizimin e vendimit të mosfillimit të procedimit penal datë 24.04.2025, të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në lidhje me kallëzimin penal nr. 81, datë 14.04.2025” dhe vendosi:

– Ndryshimin e vendimit nr. 268, datë 04.06.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, duke pranuar ankimin e ankuesit A.H. dhe duke urdhëruar Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar të regjistrojë procedimin penal dhe të kryeje hetime.

– Një kopje e vendimit t’iu komunikohet palëve.

U vendos në Tiranë, me datë 30.09.2025 ora 12:45.