Vendosni fjalën kyçe....

Rama në Londër: Shqipëria po ecën më mirë se vetë Europa


Kryeministri Edi Rama ndodhet në Londër, ku mori pjesë në panelin e Chatham House me temë “Ballkani Perëndimor dhe Bashkimi Europian”, së bashku me liderë të vendeve fqinje.

Duke folur për rrugëtimin e Shqipërisë drejt integrimit në Bashkimin Europian, Rama tha se vendi ndodhet në një moment pozitiv të marrëdhënieve me BE-në dhe se, sipas tij, “Shqipëria po ecën më mirë se vetë Europa”.

“Ne kemi shumë sfida, por kur vijmë në Britani ndihemi më mirë për sfidat tona. Kemi sfida, jemi në një periudhë kohe ku Europa po sillet shumë mirë me ne. Është e vështirë që të bësh biseda pikante dhe rreziku për të qenë i mërzitshëm është i madh. Rreziku që t’i bëjmë të rinjtë të mendojnë që po humbasin kohë me ne, është i madh. Ajo çfarë mund të them është që, në përgjithësi, besoj që në këtë pikë ne po ecim më mirë sesa Europa,” deklaroi Rama.

Kryeministri shtoi se besimi i tij tek integrimi europian nuk ka ndryshuar as në momentet më të vështira:
“Unë kisha besim edhe në kohën kur ishte qesharake për të pasur besim. Më shumë se 90% i besoj BE-së dhe anëtarësimit. Për ne nuk është asgjë post asaj që ishte për etërit themelues — që më në fund të jemi në pozitën ku zgjedhim lirisht ku jemi dhe jemi të sigurt. Për ne kjo është një bindje e fortë dhe çfarëdo që të duhet, do të jemi pjesë e betejës për të qenë pjesë.”

Duke iu referuar situatës në Europë pas agresionit rus ndaj Ukrainës, Rama tha se kontinenti tashmë e ka kuptuar më qartë rëndësinë e përfshirjes së Ballkanit Perëndimor në familjen europiane.

“Qysh prej agresionit kundër Ukrainës, falë Vladimir Putinit, Europa u zgjua me zhurmë dhe jo vetëm po thotë se sa e rëndësishme është gjeopolitikisht për ta marrë Ballkanin brenda, por po bën më të mirën e mundshme për ta shpejtuar këtë proces. Ne aty ishim edhe më parë, punonim fort edhe më parë, përmbushnim kriteret për nisjen e negociatave edhe më parë, që u konfirmua tri herë me radhë nga Komisioni Europian, por u refuzuam sepse fjalët dhe veprat ishin larg njëra-tjetrës. Tashmë Europa është e tëra për ta arritur këtë gjë dhe, më në fund, do ta realizojmë këtë objektiv,” tha Rama.

Në përfundim të fjalës së tij, kryeministri theksoi se integrimi do të hapë një kapitull të ri për vendin.

“Një jetë e re do të zërë fill, natyrisht me sfida të reja. Së paku do të kemi tejkaluar këtë pengesë të jashtëzakonshme mes nesh, sepse ne përkasim aty dhe nuk mund të qëndrojmë jashtë,” përfundoi Rama.