
Kryeministri Edi Rama, gjatë qëndrimit të tij në Londër, nuk la pa komentuar politikanin britanik Nigel Farage, me të cilin është përplasur disa herë publikisht për çështjen e emigrantëve dhe të burgosurve shqiptarë në Mbretërinë e Bashkuar.
I pyetur nga gazetarët mbi ftesën që i kishte bërë Farage-it për të vizituar Shqipërinë, Rama zbuloi se ky i fundit kishte kërkuar që vizita të bëhej më 28 nëntor — ditën e shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë.
Me ironi, kryeministri tha se e këshilloi të zgjidhte një datë tjetër, për të mos “konkuruar” me heroin kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeun.
“Mikun tim të dashur Nigel, e kam ftuar dhe më ka premtuar edhe publikisht që do të vijë. Më kërkoi një datë që përkon me ditën tonë të Pavarësisë dhe i thashë: ‘Nigel, më mirë të gjejmë një datë tjetër, sepse nëse vjen atë ditë do të duhet të përballesh me heroin tonë kombëtar dhe do dukesh shumë i vogël’,” tha Rama me humor.
Kreu i qeverisë shtoi më tej se nuk i takon askujt jashtë Mbretërisë së Bashkuar të vendosë se kush duhet të qeverisë atje, por nënvizoi se shpesh dallimi mes retorikës opozitare dhe realitetit qeverisës është i madh.
“Mendoj që s’na takon ne të vendosim se kush do zgjidhet në Britani, por e kemi parë që puna e qeverisë është diçka krejt ndryshe nga poezia në opozitë. Nuk shoh problem për të bashkëpunuar me këdo,” tha ai.
Në fund, Rama theksoi se Nigel Farage nuk është problemi në vetvete, por pasqyrë e problemeve më të thella politike në Mbretërinë e Bashkuar.
“Në fund besoj që Farage nuk është problemi. Farage është pasqyrë e problemeve, i cili ka një aftësi teatrale për të qenë tërheqës, por problemet qëndrojnë tjetërkund,” përfundoi kryeministri Rama.