Vendosni fjalën kyçe....

Tedi Blushi akuzon prokurorinë për “inkuzicion” ndaj opozitës, KLP mohon ndërhyrje në dosje


Një debat është zhvilluar sot në Komisionin Parlamentar, ku deputeti i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, ka akuzuar institucionet e drejtësisë për një qasje të ashpër dhe selektive ndaj opozitës dhe qytetarëve, duke e cilësuar situatën si “inkuzicion institucional”.

Në një deklaratë të gjatë, Blushi u shpreh se “Republika e Prokurorëve” po shndërrohet në kërcënim për shtetin e së drejtës dhe për balancat demokratike.

“Prokurorët nga akuzatorë po kthehen në inkuizitorë ndaj qytetarëve të thjeshtë, e sidomos ndaj opozitës. SPAK është në krye të këtij inkuzicioni me një qasje të hapur represive ndaj pluralizmit politik,” – deklaroi Blushi.

Deputeti kritikoi gjithashtu fenomenin e paraburgimeve të gjata pa akuza konkrete, duke thënë se një në tre persona që ndodhen pas hekurave nuk kanë ende një aktakuzë të ngritur.

“Po krijoni perceptimin e rremë se Akuza jep drejtësi, kur në fakt këtë e bën vetëm gjykata,” – shtoi ai.

Blushi e cilësoi “barbarizëm institucional” arrestimin e një avokati dy ditë më parë, duke akuzuar Këshillin e Lartë të Prokurorisë (KLP) për heshtje ndaj këtij rasti. Sipas tij, një ngjarje e tillë “duhej të kishte tronditur themelin e shtetit të së drejtës”.

Në vijim, ai ngriti dyshime për ndikime të huaja në sistemin e drejtësisë, duke pyetur drejtpërdrejt kryetaren e KLP-së, Mirela Bogdani, nëse kishte marrë “sugjerime nga diplomatë të huaj” për zgjedhjen e drejtuesit të ri të SPAK.

Në përgjigje, Mirela Bogdani mohoi çdo pretendim për ndërhyrje të KLP-së në procedimet penale apo dosjet konkrete.

“KLP nuk ndërhyn në asnjë rast, në asnjë dosje. Ky është thelbi i reformës në drejtësi. Ne merremi vetëm me vlerësimet e indikatorëve profesionalë në një fazë të mëvonshme, jo gjatë procedimeve penale,” – theksoi Bogdani.

Sa i përket akuzave për qasje represive të SPAK ndaj opozitës, ajo u shpreh se bëhet fjalë për perceptime subjektive, jo për fakte institucionale.

“Nuk mendoj se kemi të bëjmë me një qasje represive. Të gjithë jemi ndryshe, edhe binjakët identikë janë të ndryshëm. Ka njerëz më të ashpër, disa më tolerantë. Janë faktorë natyrorë, personalë, edhe biokimikë. Por kjo nuk do të thotë që ka presion institucional,” – u shpreh ajo.

Bogdani shtoi se KLP monitoron periodikisht sjelljen profesionale të prokurorëve, por nuk ka asnjë kompetencë mbi vendimmarrjen hetimore gjatë procedimeve.