Vendosni fjalën kyçe....

Përplasja me prokurorin në seancë, lirohet nga qelia avokati Barjami


Dy ditë pas arrestimit, avokati Ulian Barjami është liruar nga qelia me urdhër të Prokurorisë së Elbasanit. Bajrami u arrestua pas përplasjes me prokurorin Gjergji Ceka në seancën për konfirmimin e masave të sigurisë për 14 personat e arrestuar më 13 tetor në një lokal në Elbasan, mes të cilëve edhe Maksim Suçi, që mbrohej nga avokati Barjami.

Avokati ishte arrestuar nga Oficerët e Policisë Gjyqësore dhe Prokuroria e Elbasanit ka urdhëruar lirimin e menjëhershëm të tij.

Kur materialet për arrestimin e avokatit Barjami kanë mbërritur në Prokurorinë e Elbasanit për vlerësim, organi i akuzës ka konstatuar se arrestimi është i paligjshëm. Ai nuk është paraqitur në gjykatë për masë sigurie pasi lirimi është bërë menjëherë me urdhër të Prokurorisë.

Avokati u vu në pranga pas kallëzimit të bërë nga prokurori Ceka se ishte kërcënuar në seancë.

Në audion e publikuar një ditë më parë, dëgjohej avokati teksa hodhi akuza për manipulim provash ndërsa iu drejtua prokurorit duke i thënë se do të merret personalisht me të dhe me oficerët e Policisë Gjyqësore dhe se do të bënte kallëzim pasi konstatonte elementë të veprës penale. Kjo deklaratë u mor si kërcënim nga prokurori dhe bëri kallëzim në polici.

Arrestimi i Barjamit bëri që avokatët në të gjithë vendin të merrnin vendimin për të bojkotuar të gjitha seancat nga sot deri më 25 tetor, përveç seancave për masat e sigurisë.

Por, me lirimin e Barjamit pritet të shihet nëse Dhoma e Avokatisë do të tërhiqet nga bojkoti apo do ta vijojë deri për 5 ditë. Në reagimin e një ditë më parë, Dhoma e Avokatisë kërkoi gjithashtu shqyrtimin urgjent të çështjes nga ILD, KLGJ DHE KLP.