
Debati në Komisionin e Ligjeve mes opozitës dhe përfaqësuesve të administratës publike u fokusua tek përdorimi i nëpunësve civilë gjatë fushatës zgjedhore dhe pas saj.
Deputetët demokratë akuzuan mazhorancën dhe kryeministrin Edi Rama për përdorim politik të administratës dhe presion mbi stafet e bashkive.
Komisionerja për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil, Pranvera Strakosha, mohoi praninë e ndonjë ankesë nga nëpunësit civilë për presione.
“Në fakt, ne nuk kemi pasur ndonjë ankesë nga nëpunës civil për presione, asnjë”, tha ajo, duke shtuar se dorëheqjet janë në diskrecion të individit: “Dorëheqjet janë në diskrecion të individit, dëgjon apo jo ai një thirrje që bëhet, është punë për të”.
Deputetët opozitarë, si Oerd Bylykbashi dhe Gent Strazimiri, e kundërshtuan këtë, duke theksuar se mungesa e raportimeve nuk e përjashton përdorimin e administratës për fushatë dhe presionin mbi stafet e bashkive.
Bylykbashi deklaroi: “Që të vijnë ankesat tek ju, duhet të kenë edhe perceptimin e panashmërisë suaj”, ndërsa Strazimiri theksoi: “Kjo është një vulë e zezë që i vihet punës së institucionit tuaj, se kjo nuk duhet të kishte ndodhur. E sheh ODIHR, nuk e sheh ti, ne të paguajmë të monitorosh, ti nuk e bën dot”.
Nga ana tjetër, Ministrja për Administratën Publike, Adea Pirdeni, theksoi se falë administratës publike, Shqipëria ka hapur 5 nga 6 kapitujt negociues me Bashkimin Evropian.
Deputeti i PD, Gjin Gjoni, kritikoi gjithashtu dorëheqjet dhe shkarkimet e stafit të bashkive, duke akuzuar kryeministrin për ndikim politik: “Rama urdhëroi të dorëhiqen stafet e bashkive dhe praktikisht tani po i mbush me njerëz të PD”.
Në fund të debatit u ngrit shqetësimi mbi kostot që paguan shteti për punonjësit që fitojnë gjyq pas pushimit nga puna, duke propozuar ndryshime ligjore që të mos paguhen ata që nuk pranojnë vende alternative pune.