Vendosni fjalën kyçe....

KLP miraton listën me 4 kandidatët për kreun e ri të SPAK


Këshilli i Lartë i Prokurorisë miratoi sot listën me katër kandidatët që do të garojnë për postin e drejtuesit të ri të SPAK, Adnan Xholi, Klodian Braho, Doloreza Musabelliu dhe Ervin Gogaj.

Sipas kryetarit të Komisionit të Zhvillimit të Karrierës, Sokol Stojani, të gjithë kandidatët plotësojnë kushtet për të vijuar garën.

“Të 4 kandidatët i plotësojnë kushtet për të garuar për të qenë në krye të SPAK, Adnan Xholi, Doloreza Musabelli, Elvin Gokaj dhe Klodian Braho. Ne i propozojmë këshillit miratimin e listës së kandidatëve për të kandiduar për vendin vakant për drejtues të SPAK”, tha Sokol Stojani.

Vendimi u mor me 10 vota pro, ndërsa anëtari Zeqir Hodaj u tërhoq nga votimi për shkak të një mundësie konflikti interesi.

“Unë nuk gjendem në kushtet e heqjes dorë nga kjo situatë, por kërkoj t’i jepet kohë edhe Këshillit edhe vetes për të marrë një vendim në lidhje me të. Vlerësoj që duhet të largohem nga zhvillimi i seancës për këtë çështje. Edhe pse çështje formale duhet të largohem nga votimi për të marrë kohën e duhur për një proces të rregull ligjor”, u shpreh Zeqir Hodaj.

Në vijim, kandidatët do t’i nënshtrohen intervistave publike nga KLP, ku do të vlerësohen për përvojën, integritetin dhe aftësinë për të drejtuar institucionin. Altin Dumani përfundon mandatin si drejtues i SPAK më 18 dhjetor.