Zëvendëspresidenti i SHBA-së, J.D. Vance, do mbërrijë në Izrael të martën, ku do pritet zyrtarisht në mesditë në Aeroportin Ben Gurion nga zëvendëskryeministri dhe ministri i Drejtësisë, Yariv Levin. Gjatë vizitës së tij, Vance do takohet me presidentin Isaac Herzog, kryeministrin Benjamin Netanyahu, familjet e pengjeve dhe pengjet e liruara së fundmi.
Qëllimi kryesor i vizitës është të sigurojë zbatimin e marrëveshjes së armëpushimit dhe kalimin në fazën e dytë të saj. Ardhja e Vance, zyrtari më i lartë amerikan që viziton vendin që nga marrëveshja, nënvizon angazhimin e administratës Trump për ruajtjen e armëpushimit të brishtë. Ai gjithashtu pritet të vizitojë Murin Perëndimor dhe të mbajë një konferencë të përbashkët shtypi me Netanyahun, shkruan Ynet.
Zyrtarët amerikanë deklaruan se ishte konsideruar një vizitë e Vance në një qendër humanitare në Gaza, por ajo u anulua përfundimisht. Megjithatë, ai mund të vizitojë postin komandues të SHBA-së në Izrael, ku janë stacionuar 200 ushtarë amerikanë për të monitoruar zbatimin e marrëveshjes. Vance është planifikuar të largohet nga Izraeli të enjten.
