
Komisioni për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale, së bashku me Komisionin e Çështjeve Ligjore dhe Administratën Publike, zhvilluan një seancë dëgjimore për raportimin e veprimtarisë së Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP) për vitin 2024.
Kryetarja e KLP-së, Mirela Bogdani, njoftoi se gjatë vitit janë miratuar shtatë raporte periodike për vlerësimin etik dhe profesional të prokurorëve, një raport për drejtuesit dhe një raport i përshpejtuar.
Vlerësimi bazohet në katër kritere kryesore: aftësitë profesionale, aftësitë organizative, etikën dhe angazhimin profesional, si dhe aftësinë personale dhe përkushtimin.
Bogdani bëri me dije se deri tani janë miratuar 41 raporte vlerësimi, ndërsa objektivi i vendosur nga partnerët ndërkombëtarë dhe Bashkimi Evropian është arritja e 55 raporteve deri në fund të vitit.
Ajo njoftoi gjithashtu se KLP ka vijuar procesin e verifikimit të figurës dhe pasurisë për 25 kandidatë të Shkollës së Magjistraturës 2024-2025, ndërsa 23 kandidatë kanë përfunduar formimin, dhe për 9 të tjerë janë kryer procedurat për pozicione drejtues në prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm.
Sa i përket vakancave në sistem, Bogdani deklaroi se gjatë vitit 2024 numri i prokurorëve në detyrë ishte 218 nga 341 të parashikuar, rreth 64% e stafit, ndërsa pjesa tjetër përbëhej nga vakanca të përhershme dhe të përkohshme.
Për emërimet dhe ngritjet në detyrë, Kryetarja bëri me dije se KLP realizoi tre ngritje në detyrë për pozicione drejtues prokurorësh dhe dy riemërime në pozicione drejtuese.
Tetë prokurorë u transferuan me pëlqim në prokuroritë e tjera për balancimin e ngarkesës së punës.
Për SPAK, Bogdani theksoi se Këshilli ka finalizuar procesin për tre prokurorë, duke plotësuar numrin prej 20 prokurorësh në këtë strukturë. Përveç këtyre, 23 prokurorë të diplomuar në vitin 2024 janë emëruar dhe caktuar në detyrë, duke kontribuar në plotësimin e vakancave në sistem.