
Në jug të Rripit të Gazës kanë shpërthyer përleshje të reja të dielën në mëngjes, pasi sipas burimeve palestineze, militantë të armatosur hapën zjarr ndaj një automjeti inxhinierik të Forcave të Mbrojtjes së Izraelit (IDF) pranë qytetit Rafah — ngjarje që vjen vetëm një javë pas hyrjes në fuqi të armëpushimit dhe tërheqjes së ushtrisë izraelite nga rreth gjysma e territorit.
Mediat palestineze raportuan se pas sulmit, Forcat Ajrore Izraelite goditën disa objektiva në zonë, ndërsa edhe marina izraelite hapi zjarr drejt bregdetit të Rafahut, përcjell Ynet.
Kryeministri Benjamin Netanyahu, ministri i Mbrojtjes Israel Katz dhe sekretari ushtarak u larguan nga mbledhja javore e kabinetit për një vlerësim urgjent të situatës.
Gjatë takimit, qeveria miratoi gjithashtu riemërtimin e fushatës aktuale ushtarake në “Lufta e Ringjalljes”.
Përshkallëzimi ndodh në një periudhë qetësie të brishtë pas marrëveshjes së armëpushimit mes Izraelit dhe Hamasit.
Vetëm dy ditë më parë, ushtria izraelite raportoi shkeljen e parë serioze të armëpushimit, kur luftëtarë të armatosur të Hamasit dolën nga tunelet në Khan Younis dhe Rafah dhe hapën zjarr ndaj trupave izraelite. Sipas IDF-së, disa prej tyre u vranë në sulme ajrore hakmarrëse.
Një zëdhënës i IDF deklaroi atëherë: “Në Khan Younis, disa terroristë u identifikuan duke dalë nga një tunel dhe iu afruan forcave në një mënyrë që përbënte kërcënim të menjëhershëm. Ata u goditën nga ajri për të eliminuar rrezikun, në përputhje me marrëveshjen e armëpushimit.”
Që nga fillimi i armëpushimit, trupat izraelite në zonat e caktuara si “zona tampon” janë urdhëruar të hapin zjarr vetëm për t’i larguar personat që afrohen rrezikshëm ose për të goditur me saktësi ndonjë militant të armatosur që përbën kërcënim të drejtpërdrejtë. Në të gjitha rastet e tjera, forcat izraelite nuk lejohen të qëllojnë.
Megjithatë, zyrtarë të sigurisë paralajmërojnë se rreth 7 mijë luftëtarë të Hamasit janë rigrupuar në të gjithë Gazën, duke rimarrë nën kontroll lagje dhe qytete ndërsa civilët po rikthehen pas tërheqjes së pjesshme të Izraelit.
Pas incidentit të mëngjesit, Netanyahu zhvilloi një takim urgjent me drejtuesit e lartë të mbrojtjes, për të vlerësuar nëse do të rifillojnë sulmet ajrore të kufizuara ndaj objektivave të Hamasit dhe nëse do të reduktohet ndihma humanitare që hyn në Gaza.
Sipas zyrtarëve izraelitë, çdo ndryshim në dërgesat e ndihmave do të kërkojë miratimin e SHBA-së, për shkak të rolit të saj ndërmjetësues në negociatat për kthimin e trupave të pengjeve izraelite. Aktualisht, nuk parashikohet rikthim në operacione tokësore të gjerë si ato para armëpushimit.
Reagimet politike në Izrael ishin të ashpra. Ministri i Financave, Bezalel Smotrich, shkroi vetëm një fjalë në rrjetet sociale: “Luftë!” Ndërsa ministri i Sigurisë Kombëtare, Itamar Ben-Gvir, i bëri thirrje Netanyahut të urdhërojë “rikthimin e plotë të luftës në Rripin e Gazës me forcë të plotë”, duke shtuar: “Shpresa e rreme se Hamasi do të ndryshojë apo do të respektojë një marrëveshje është e rrezikshme për sigurinë tonë. Kjo organizatë terroriste naziste duhet shkatërruar plotësisht — sa më shpejt, aq më mirë.”
Nga ana tjetër, zyrtari i Hamasit, Izat al-Rishq, akuzoi Izraelin për shkelje të armëpushimit: “Hamasi mbetet i përkushtuar ndaj marrëveshjes së armëpushimit, ndërsa Izraeli vazhdon ta shkelë atë dhe kërkon justifikime të rreme për krimet e tij. Përpjekjet e Netanyahut për të tërhequr fjalën e dhënë janë pasojë e presionit të koalicionit të ekstremit të djathtë.”
Tensionet e reja zhvillohen në kuadër të planit 20-pikësh të Presidentit të SHBA, Donald Trump, për Gazën.
Faza e dytë e planit, për të cilën ende nuk ka një marrëveshje mes Izraelit dhe Hamasit, parashikon tërheqje të tjera izraelite përtej asaj që quhet “vija e verdhë”, me qëllim vendosjen e një force ndërkombëtare që do të mbikëqyrë çmilitarizimin e Rripit.
Rreth 200 ushtarë amerikanë pritet të mbërrijnë në Izrael për të ndihmuar në zbatimin e kësaj faze, ndërsa zv. presidenti J.D. Vance pritet të vizitojë rajonin.