
TIRANË – Me një pjesëmarrje rekord prej mbi 5 mijë vrapuesish nga më shumë se 50 vende të botës, u zhvillua këtë të dielë edicionin e 9-të të Maratonës Ndërkombëtare të Tiranës, e cila ka shndërruar kryeqytetin në një festë të vërtetë sportive.
Në këtë aktivitet tashmë tradicional për Tiranën, atletët garuan në tre kategori – Maratonë (42 km), Gjysmë Maratonë (21 km) dhe 10 km – ndërsa podiumet u dominuan nga sportistët kenianë, të cilët konfirmuan reputacionin e tyre si ndër më të mirët në botë në garat e qëndrueshmërisë.
Në kategorinë e Maratonës për meshkuj (42 km), fitues u shpall Benard Kiprotich Too nga Kenia, me kohën 2 orë, 21 minuta e 35 sekonda, i ndjekur nga bashkatdhetarët Derrick Chege Njoroge dhe Shedrack Kiptoo Kimaiyo.
Ndërkohë, atletët shqiptarë Ilir Kellezi dhe Altin Vorpsi dhanë një paraqitje të denjë, duke u renditur respektivisht në vendin e 8-të dhe të 9-të.
Edhe në kategorinë e femrave, dominimi kenian ishte i padiskutueshëm. Chelangat Sang triumfoi në Maratonë, e ndjekur nga Rose Jepchumba, ndërsa Blerina Bregu arriti një rezultat të shkëlqyer, duke u renditur në vendin e 4-të.
Kenianët mbizotëruan gjithashtu edhe në Gjysmë Maratonën (21 km), duke zënë vendet e para në të dyja kategoritë, meshkuj dhe femra.
Maratona e Tiranës është shndërruar tashmë në një nga ngjarjet më të rëndësishme sportive në rajon, që jo vetëm promovon sportin dhe shëndetin, por edhe e vendos Tiranën në hartën e garave ndërkombëtare të atletikës.