
Janë zbardhur detaje të reja nga vrasja e Ramazan Matajt, e ndodhur më 5 janar 2025 në Postribë të Shkodrës, ngjarje për të cilën janë arrestuar vëllezërit Arjon dhe Klisman Hasaj. Sipas dosjes hetimore, Arjon Hasaj ka pranuar se është autori i vrasjes, duke rrëfyer skemën që përdori për ta joshur viktimën në takim.
Hetimet zbuluan se një adresë në Instagram, me të cilën ishte kontaktuar Mataj para vrasjes, i përkiste vetë Arjon Hasajt. Ai pranoi se krijoi një profil mashtrues duke u shtirur si femër, dhe madje paguoi një vajzë rome për t’i dërguar Matajt dy mesazhe zanore, për ta bindur se po fliste me një vajzë të vërtetë.
Sipas deklarimeve të Hasajt, motive personale e familjare qëndrojnë pas vrasjes. Viktima dyshohet se kishte pasur marrëdhënie intime me motrën e autorit, Armela Hasaj, lidhje që kishte shkaktuar konflikte dhe dy divorce në jetën e saj.
Arjoni tha se disa ditë para ngjarjes kishte parë në Instagramin e motrës, me të cilën nuk fliste prej tre vitesh, një video ku ajo shihej në makinën e Ramazan Matajt, çka e kishte tronditur psikologjikisht.
“E lashë takimin natën, po binte shi. Sapo u afrua me makinë, e qëllova 18–19 herë me një pushkë 20-she dhe u largova me biçikletë. Fsheha armën pas shtëpisë. Askush nuk kishte dijeni,” deklaroi Arjon Hasaj, duke shfaqur pendesë për krimin.
Nga përgjimet e kryera në komisariatin e Shkodrës, dy vëllezërit janë dëgjuar duke rënë dakord të mos e pranojnë vrasjen, nëse policia nuk kishte prova. Por pas gjetjes së armës së krimit, 16 gëzhojave dhe municionit luftarak, Arjoni e pranoi autorësinë. Ai u arrestua në Muriqan, teksa tentonte të kalonte kufirin drejt Malit të Zi.
Armela Hasaj, motra e autorëve, deklaroi se kishte pasur lidhje me Matajn që prej vitit 2018, por e kishte denoncuar disa herë për kanosje dhe përndjekje.
“E kisha bllokuar, por më shkruante me adresa fallco dhe shpërndante foto e video të mia. Kam qenë gjatë gjithë kohës e përndjekur,” ka thënë ajo, duke shtuar se kishte marrë urdhra mbrojtjeje nga gjykata.
Ndërsa Fatmir Mataj, babai i viktimës, tregoi se djali i tij i kishte thënë se do të takonte “një vajzë nga fshati Drisht me qëllime serioze”. Ai nuk mori më përgjigje në telefonatat gjatë natës dhe mësoi për vrasjen nga mediat.
Prokuroria ka sekuestruar armën e përdorur, gëzhojat dhe municionin si prova materiale.
Në dosje thuhet se hetimet dhe dëshmitë e familjarëve e dëshmitarëve do të jenë pjesë e procesit gjyqësor që pritet të zhvillohet në Gjykatën e Shkodrës.
Një banor i zonës ku ndodhi ngjarja ka dëshmuar se dëgjoi krisma “të lehta”, por nuk i kushtoi rëndësi, ndërsa dy kushërinj të viktimës e kishin këshilluar më parë Matajn të verifikonte me kë po fliste, duke dyshuar për një adresë të rreme në rrjete sociale.
Ngjarja tronditi zonën e Postribës për brutalitetin e saj, ndërsa autoritetet theksojnë se vrasja është kryer me paramendim dhe në mënyrë të planifikuar.