Vendosni fjalën kyçe....

Kosova pranohet në Komitetin Ekonomik dhe Social Evropian



Komiteti Ekonomik dhe Social Evropian (EESC) është bërë institucioni i parë i Bashkimit Evropian që ka vendosur të pranojë anëtarë nga Kosova, duke shënuar një hap të rëndësishëm drejt përfshirjes së vendit në strukturat e BE-së, përcjell REL.

Sipas njoftimit zyrtar, EESC-ja – që është organ këshilldhënës i institucioneve të BE-së – ka ftuar organizatat e shoqërisë civile në Kosovë të aplikojnë për anëtarësim deri më 24 tetor, në kuadër të Nismës së shteteve kandidate për zgjerim (ECMc), e cila u lançua në vitin 2023.

“Me këtë nismë synojmë të fuqizojmë projektet që nxisin dialogun civil dhe social, duke forcuar bashkëpunimin brenda komuniteteve kosovare”, thuhet në thirrjen e publikuar në faqen zyrtare të komitetit.

Në shkurt të vitit 2024, EESC-ja kishte pranuar si anëtarë përfaqësues nga Shqipëria, Bosnje e Hercegovina, Gjeorgjia, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Moldavia, Serbia, Turqia dhe Ukraina, të gjitha vende kandidate për anëtarësim në BE.
Megjithatë, Kosova nuk ishte përfshirë atëherë, pasi ende nuk e ka statusin zyrtar të vendit kandidat.

Në një përgjigje për gazetën Koha, komiteti ka konfirmuar se tani është hapur faza e dytë e nismës edhe për Kosovën, si kandidate potenciale për anëtarësim.

EESC-ja, e themeluar në vitin 1957 në bazë të Traktatit të Romës, ka për qëllim këshillimin e vendimmarrësve të BE-së dhe përfshirjen e shoqërisë civile në procesin e politikbërjes evropiane. Komiteti vepron si urë lidhëse midis institucioneve të BE-së dhe publikut, duke siguruar që zëri i qytetarëve të përfaqësohet në mënyrë demokratike.

EESC ka selinë në Bruksel dhe përbëhet nga 329 anëtarë nga të gjitha 27 shtetet anëtare të BE-së. Anëtarët ndahen në tre grupe kryesore:

  • Grupi i Punëdhënësve,

  • Grupi i Punëtorëve, dhe

  • Grupi i Organizatave të Shoqërisë Civile.

Vetëm anëtarët nga shtetet e BE-së kanë të drejtë vote, por përfshirja e organizatave kosovare do të lejojë bashkëpunim më të ngushtë dhe shkëmbim përvojash me strukturat evropiane.

Kosova aplikoi për anëtarësim në Bashkimin Evropian në dhjetor 2022, por aplikimi ende nuk ka kaluar në fazën e parë të shqyrtimit nga Këshilli i BE-së.
Vendimi i EESC-së shihet si një sinjal pozitiv për afrimin gradual të Kosovës me BE-në, në një proces që pritet të kërkojë reforma të mëtejshme dhe rritje të rolit të shoqërisë civile në vend.