
Ish-kryeministri Sali Berisha ka reaguar me një deklaratë të fortë, duke e cilësuar Fred Abrahams, ish-drejtues të Fondacionit “Soros” në Tiranë dhe aktualisht përfaqësues të Human Rights Watch, si “bashkëpunëtor të shërbimeve sekrete serbe”.
Në një postim të publikuar në rrjete sociale, Berisha e përshkroi sallën e gjyqit si “grackë, ku spiuni i Millosheviçit u kap si laraska”.
“Fred Abrahams, ish-drejtues i Fondacionit Soros në Tiranë, u shpall ‘non grata’ në vitin 1993 nga qeveria shqiptare dhe u përzë nga Shqipëria pasi u filmua, fotografua dhe u regjistrua nga Shërbimi Informativ Kombëtar si bashkëpunëtor i rezidentit të Beogradit në Tiranë,” – shkruan Berisha.
Sipas tij, Abrahams u largua nga Shqipëria me një charter të posaçëm pas ndërhyrjes së George Soros-it. Pesë vite më vonë, Berisha pretendon se ai u rikthye në Kosovë për të vazhduar “misionin e tij në shërbim të Beogradit”, këtë herë nën petkun e Human Rights Watch.
“Gjatë luftës në Kosovë, ai regjistronte si ngjarje reale shpifje dhe trillime të padronëve të tij serbë — vrasje e pengmarrje të serbëve nga UÇK — që nuk kishin ndodhur kurrë,” – tha Berisha.
Sipas tij, këto raporte u përdorën vite më vonë nga Gjykata e Hagës në proceset kundër ish-udhëheqësve politikë të Kosovës. Berisha theksoi se në një seancë gjyqësore, avokatët e mbrojtjes kishin ekspozuar “mospërputhjet dhe burimet e dyshimta” në dëshmitë e Abrahams.
Ish-kryeministri u bëri thirrje shoqatës së veteranëve të UÇK-së dhe organizatës Human Rights Watch që të ngrenë padi kundër Fred Abrahams “në Hagë dhe në SHBA për shpifje dhe manipulim publik”.
Në vijim, Berisha përmendi disa nga deklaratat kryesore që Abrahams ka dhënë gjatë dëshmisë së tij në Dhomat e Specializuara në Hagë:
Human Rights Watch, sipas tij, nuk kishte bërë një hetim të thellë për akuzat ndaj UÇK-së për shkak të mungesës së aksesit në skena krimi dhe dëshmitarë.
Disa prej informacioneve në raportet e HRW mbi UÇK-në ishin marrë nga zyrtarë serbë dhe nuk kishin gjithmonë burime të drejtpërdrejta.
Ai pranoi se do të kishte përdorur një gjuhë më të kujdesshme, duke zëvendësuar disa terma për të mos dhënë përshtypjen e fakteve të konfirmuara.
Lidhur me rastin e Gllogjanit në shtator 1998, Abrahams pranoi se HRW nuk kishte kryer një hetim të thellëdhe se informacionet ishin marrë pjesërisht nga burime serbe.
Ai deklaroi gjithashtu se nuk mund të verifikonte pretendimet lidhur me paraburgimin e dy gazetarëve të agjencisë “Tanjug” në vitin 1998.
Për Adem Demaçin, Abrahams tha se ishte “një figurë e rëndësishme politike”, por që nuk kishte rol direkt në veprimet luftarake të UÇK-së në terren.
Në përfundim, Berisha e cilësoi Abrahams si “agjent të regjimit të Millosheviçit” dhe “mashtrues publik” që sipas tij “ka ndërtuar karrierën mbi shpifje kundër shqiptarëve”.