Vendosni fjalën kyçe....

23-vjeçari shqiptar vritet me thikë në Itali, trupi gjendet në parkingun e universitetit në Perugia



Një ngjarje e rëndë ka tronditur qytetin e Perugias në Itali, ku një 23-vjeçar shqiptar, i identifikuar si Hekuran Cumani, është gjetur i pajetë në një pellg gjaku në parkingun e Universitetit të Matematikës.

Sipas mediave italiane, dyshohet se i riu ka qenë viktimë e një sulmi fatal me thikë, ndërsa motivet dhe rrethanat e ngjarjes mbeten ende të paqarta.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 2 të mëngjesit, në parkingun përballë fakulteteve të Ekonomisë dhe Matematikës, pranë mensës së universitetit. Ky vend është i hapur dhe pa pagesë gjatë natës, dhe përdoret shpesh nga studentë e qytetarë për të hyrë në qendrën historike të qytetit apo për të frekuentuar lokalet e natës.

Sipas hetimeve paraprake, Cumani kishte mbërritur në Perugia bashkë me disa miq nga Fabriano. Grupi kishte kaluar mbrëmjen në disa bare dhe më pas në lokalin “100Dieci”, shumë i njohur në zonë për studentët universitarë. Pikërisht aty, sipas dëshmitarëve, ka ndodhur një sherr mes dy grupeve të të rinjve, që dyshohet se përfundoi me goditjen fatale ndaj të riut shqiptar.

Policia italiane ka nisur hetimet intensive, duke marrë dëshmi dhe duke analizuar pamjet e kamerave të sigurisë në zonë, për të identifikuar autorët e mundshëm të krimit. Ndërkohë, prokuroria e Perugias ka urdhëruar autopsinë për të përcaktuar saktësisht shkakun e vdekjes dhe dinamikën e ngjarjes.