I dërguari i investimeve i presidentit rus Vladimir Putin i ka bërë thirrje Elon Musk-ut të ndërtojë një tunel nënujor që lidh Rusinë me Alaskën, një ditë pasi Presidenti i SHBA-së Donald Trump hodhi poshtë mundësinë e rifillimit të tregtisë midis dy vendeve nëse lufta në Ukrainë nuk mbaron.
“Përfytyroni të lidhni SHBA-në dhe Rusinë, Amerikat dhe Afro-Eurazinë me tunelin Putin-Trump, një lidhje 112 kilometrash që simbolizon unitetin”, tha në X Kirill Dmitriev, drejtor ekzekutiv i fondit sovran të pasurisë së Kremlinit dhe një i dërguar special për investime.
Ai pretendoi se me teknologjinë nga Boring Company e Musk, kostot e një projekti të tillë mund të ulen nga më shumë se 65 miliardë dollarë në më pak se 8 miliardë dollarë.
Propozimi erdhi disa orë pas telefonatës së parë midis dy presidentëve që nga samiti në Alaska në gusht që dështoi të arrinte një zgjidhje për krizën e Ukrainës.
Trump tha se ai dhe Putin “kaluan shumë kohë duke folur për Tregtinë midis Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara kur lufta me Ukrainën të mbarojë”.
Putin dhe Trump ranë dakord të takohen përsëri pas disa javësh në Budapest në telefonatën e së enjtes.
Kremlini është përpjekur ta joshë Trump-in nëpërmjet premtimit të bashkëpunimit ekonomik nëse lufta në Ukrainë mbaron dhe sanksionet perëndimore kundër Rusisë hiqen.
Dmitriev, i diplomuar në Stanford dhe Harvard, luajti një rol kyç në vendosjen e bisedimeve të SHBA-së me Rusinë në Arabinë Saudite këtë vit. Që atëherë ai ka ndërtuar një marrëdhënie me të dërguarin special të SHBA-së, Steve Witkoff, dhe është bashkuar me të në disa takime me Putinin për të diskutuar krizën në Ukrainë.
Edhe pse tregtia SHBA-Rusi ishte vetëm 3.5 miliardë dollarë vitin e kaluar, Dmitriev ka pohuar se kompanitë amerikane kanë humbur 342 miliardë dollarë duke u tërhequr nga Rusia dhe ka sugjeruar se ato mund të zëvendësojnë kompanitë shumëkombëshe evropiane që janë larguar atje.
Ai gjithashtu ka përmendur sipërmarrje të përbashkëta potencialisht fitimprurëse në energji dhe Arktik, megjithëse nuk është e qartë se deri në çfarë mase Rusia i ka diskutuar këto me SHBA-në.
Ndërtimi i një tuneli në Ngushticën e Beringut do ndërlikohej nga mungesa e ndonjë infrastrukture ekzistuese në zonë, veprimtaria e saj e lartë sizmike dhe temperaturat që bien shumë nën zero.
Lidhja prej 112 kilometrash do ishte më shumë se dyfishi i gjatësisë së tunelit të kanalit anglez nga Mbretëria e Bashkuar në Francë, i cili është 50 kilometra i gjatë.
“Ëndrra e një lidhjeje SHBA-Rusi nëpërmjet Ngushticës së Beringut pasqyron një vizion të qëndrueshëm, nga hekurudha Siberi-Alaskë e vitit 1904 deri te plani i Rusisë i vitit 2007”, shkroi Dmitriev.
Ai tha se Fondi i tij Rus i Investimeve Direkte “ka studiuar propozimet ekzistuese, përfshirë hekurudhën SHBA-Kanada-Rusi-Kinë, dhe do mbështesë më të zbatueshmen”.
The Boring Company nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e FT


