Vendosni fjalën kyçe....

PD kërkon interpelancë me ministren Koçiu, Balliu: Do të vijë në Komision me hir a me pahir


Partia Demokratike ka kërkuar zyrtarisht një seancë dëgjimore me ministren e Brendshme, Albana Koçiu, për të raportuar mbi gjendjen e sigurisë në vend.

Në një deklaratë për mediat, nënkryetari i Komisionit të Sigurisë, Klevis Balliu, akuzoi ministren se po i shmanget llogaridhënies për “kolapsin e rendit publik”.

Balliu tha se vendi po përballet me një valë krimesh të rënda, duke përmendur vrasjet mes grupeve kriminale, shpërthimin me tritol në banesën e një deputeti dhe ekzekutimin e gjyqtarit Astrit Kalaja brenda sallës së gjyqit.

Sipas tij, këto ngjarje tregojnë se “Shqipëria po përballet me një krizë të thellë të rendit dhe të autoritetit të shtetit”, ndërsa ministrja, në vend që të merret me problemet e sigurisë, “është fokusuar në fushata propagandistike si ndalimi i duhanit në zyra apo patinat elektrike”.

“Refuzimi i ministres për t’u paraqitur në Komision është një akt i papranueshëm institucional dhe mungesë respekti ndaj Kuvendit dhe qytetarëve. Me hir a me pahir, ajo do të vijë të japë llogari për kolapsin e rendit,” – theksoi Balliu.

Demokratët theksuan se do të insistojnë që ministrja Koçiu të raportojë për situatën e sigurisë dhe për dështimet e qeverisë në mbrojtjen e jetës së qytetarëve.