Vendosni fjalën kyçe....

Ish-Presidenti Moisiu në protestën e UÇK-së: Liria e Kosovës nuk është dhuratë, e kemi fituar me gjak


Qindra qytetarë nga të gjitha trevat shqiptare u mblodhën sot në Sheshin “Skënderbej” në Tiranë për të mbështetur Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe liderët e saj që ndodhen në paraburgim në Hagë.

Protesta, e organizuar nga veteranët e UÇK-së, mban moton “Liria ka emër” dhe ka për qëllim të ngrejë zërin për drejtësi dhe të mbrojë dinjitetin e luftëtarëve që sakrifikuan për çlirimin e Kosovës.

Një nga zërat më të respektuar në këtë tubim ishte ish-Presidenti i Republikës, Alfred Moisiu, i cili mbajti një fjalim të fuqishëm para protestuesve. Ai i cilësoi luftëtarët e UÇK-së si burra të drejtë dhe të guximshëm, duke theksuar se sakrificat e tyre janë të paharrueshme:

“Jemi mbledhur për të mbrojtur dinjitetin tonë kombëtar, për të ngritur zërin kundër padrejtësisë që po u bëhet bijve më të mirë të Kosovës dhe kombit shqiptar, luftëtarëve të UÇK-së që luftuan për lirinë e atdheut,” deklaroi Moisiu.

Ish-presidenti kujtoi vizitën e tij në Hagë më 29 shtator 2022, ku së bashku me ish-presidentët Rexhep Meidani, Alfred Topi, Behgjet Pacolli dhe ish-kryeministrin Pandeli Majko takuan Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin. Ai përshkroi takimin si moment të rëndësishëm, ku liderët e UÇK-së treguan qetësi dhe vendosmëri:

“Kur i takuam, ata ishin të qetë, të vendosur dhe të gatshëm të sakrifikonin për pastrimin e luftës së drejtë të UÇK-së,” tha Moisiu, duke shtuar se kjo qëndresë reflekton mbi historinë dhe krenarinë e popullit shqiptar.

Ish-presidenti e konsideroi gjykimin e tyre si një proces të ndikuar nga qarqe të errëta serbo-ruse dhe kritikoi ashpër padrejtësitë që po u bëhen luftëtarëve:

“Ata janë burgosur pa prova, me akuza të fabrikuara në qarqet e errëta serbo-ruse që përpiqen të njollosin luftën për çlirimin e Kosovës. Ata nuk kanë kryer krime, por kanë bërë detyrën më të lartë që njeh historia bashkëkohore: çlirimin e Kosovës dhe mbrojtjen e popullit të tyre,” tha Moisiu.

Ai gjithashtu përmendi mbështetjen që UÇK-ja ka pasur nga NATO dhe SHBA gjatë luftës dhe vlerësoi rolin e dëshmitarëve amerikanë që po vërtetojnë pafajësinë e ish-drejtuesve të UÇK-së në gjykatë.

“Liria e Kosovës nuk është dhuratë, por është fituar me gjak, sakrificë dhe vendosmëri. Nuk mund të pranojmë që të nëpërkëmbet gjaku i shqiptarëve,” theksoi ish-presidenti, duke bërë thirrje për unitet dhe vendosmëri nga gjithë qytetarët:

“Sot më shumë se kurrë duhet të jemi të bashkuar për të mbrojtur të ardhmen e kombit tonë të vuajtur. I bëj thirrje drejtësisë të tregojë veten. Lavdi dëshmorëve të UÇK-së! Liri për drejtuesit e UÇK-së! Zoti e bekoftë Kosovën! Zoti e bekoftë Shqipërinë!”

Protesta e sotme në Sheshin “Skënderbej” përfshiu edhe veteranë të UÇK-së, figura politike dhe qytetarë nga Kosova dhe Shqipëria, të cilët kërkojnë drejtësi dhe mbrojtjen e dinjitetit kombëtar të luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Në këtë kontekst, fjalimi i Moisiut u bë simbol i mbështetjes për luftëtarët e UÇK-së dhe një thirrje për reflektim ndaj historisë dhe sakrificave të shqiptarëve.