Vendosni fjalën kyçe....

Ish-deputeti demokrat kërkon nderimin me urdhra të lartë të udhëheqësve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë



Ish-deputeti demokrat Azgan Haklaj i ka bërë thirrje presidentit të Shqipërisë, Bajram Begaj, dhe presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, që të nderojnë me urdhrat më të lartë katër udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), të cilët po përballen me drejtësinë në Gjykatën Speciale në Hagë.

Në një deklaratë publike, Haklaj theksoi se një akt i tillë do të kishte një mesazh të fortë kombëtar dhe ndërkombëtar.

“Dua t’ju bëj një propozim publik se, përveç thirrjeve, duhen edhe akte konkrete. I propozoj presidentit Begaj që djemtë që ndodhen në Hagë të nderohen me Urdhrin e Flamurit. I propozoj presidentes Vjosa Osmani t’i nderojë me titullin më të lartë që ia jep Kushtetuta, si dhe Këshillit Kombëtar të Malit të Zi dhe atij në Preshevë,” deklaroi Haklaj.

Sipas tij, ky do të ishte një gjest i fuqishëm për të treguar unitetin mbarëkombëtar.

“Kjo do të ishte një mënyrë për t’i treguar botës mbarë se jemi një komb,” shtoi ai.

Udhëheqësit e UÇK-së po gjykohen në Hagë për akuza që lidhen me periudhën e luftës në Kosovë, ndërsa shumë zëra publikë në Shqipëri e Kosovë i konsiderojnë ata si heronj të luftës për liri.