Vendosni fjalën kyçe....

Bjellorusia i afrohet vendeve të BE-së pas ngrohjes së marrëdhënieve me SHBA-në


Një diplomat i lartë bjellorus ka zhvilluar takime me përfaqësues evropianë, pasi vendi i tij dërgoi ftesa muajin e kaluar në përpjekje për të thyer izolimin politik të Minskut, një lëvizje që, sipas diplomatëve të BE-së, vjen pas afrimit me administratën e Donald Trump.

Zyrtarët e lartë të Bjellorusisë janë konsideruar persona non grata në Bashkimin Evropian që nga viti 2020, kur pas zgjedhjeve të kontestuara, regjimi i Aleksandër Lukashenkos ndërmori një shtypje të gjerë ndaj opozitës.

Që atëherë, sanksionet ndaj Minskut janë ashpërsuar më tej, veçanërisht pas mbështetjes së tij për pushtimin rus të Ukrainës në vitin 2022.

Megjithatë, një diplomat evropian i tha Reuters se kishte zhvilluar një takim së fundmi me Yuri Ambrazevich, ish-zëvendësministër i Jashtëm i Bjellorusisë dhe aktualisht ambasador i vendit në Vatikan.

Ambrazevich, i emëruar në mars, është ngarkuar “të rivendosë kontaktet me vendet evropiane” dhe të përçojë mesazhin se Bjellorusia kërkon të thyejë izolimin politik.

Sipas të njëjtit burim, Ambrazevich u përpoq të përcillte idenë se Minsku mund të luajë rol ndërmjetësues në gjetjen e një zgjidhjeje të negociuar mes Rusisë dhe Ukrainës dhe në bisedimet e ardhshme për sigurinë evropiane.

Në fund të shtatorit, ambasada bjelloruse në Paris u dërgoi misioneve të disa vendeve të BE-së një ftesë zyrtare për t’u takuar me Ambrazevich, duke theksuar se ai është “tani përgjegjës jozyrtar për koordinimin e kontakteve diplomatike bjelloruse në kryeqytetet e Evropës Perëndimore”.

Tre diplomatë evropianë të tjerë konfirmuan për Reuters se vendet e tyre kishin marrë ftesën, ndërsa disa prej tyre kishin pranuar të zhvillonin takime.

Sipas një diplomati, “Minsku e sheh afrimin me Trump si një mundësi për të kërkuar heqjen e sanksioneve dhe po përpiqet ta shfrytëzojë këtë dritare.”

Afrimi me Trump

Presidenti bjellorus Aleksandër Lukashenko, një aleat i ngushtë i Vladimir Putinit, ka qenë i izoluar për vite nga Perëndimi.

Por që prej ardhjes në pushtet të Trump dhe afrimit të tij me Moskën, Uashingtoni ka rritur kontaktet me Minskun, duke dërguar disa delegacione diplomatike këtë vit.

Në javët e fundit, Trump ka zhvilluar biseda telefonike me Lukashenkon, duke e quajtur atë “një lider shumë të respektuar”, dhe ka dërguar një të dërguar të posaçëm në Minsk, vizitë që çoi në lirimin e mbi 50 të burgosurve politikë në mesin e shtatorit.

 Në këmbim, SHBA pezulloi pjesërisht sanksionet ndaj linjës ajrore bjelloruse Belavia, duke i mundësuar akses në pjesë këmbimi për avionët.

Skepticizëm në Evropë

Dy diplomatë evropianë e kanë përshkruar këtë nismë si një “ofensivë simpatike”, që synon të shfrytëzojë afrimin me SHBA-në dhe të tregojë se Minsku nuk është plotësisht nën varësinë e Moskës.

Megjithatë, shumë vende të BE-së mbeten skeptike ndaj motiveve të Lukashenkos, duke e konsideruar këtë si një përpjekje për të përfituar nga ndryshimet në politikën ndërkombëtare pa bërë asnjë ndryshim real në fushën e demokracisë dhe të drejtave të njeriut.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Reuters