
Deputeti i Partisë Demokratike, Tritan Shehu, ka reaguar ashpër pas vendimit të mazhorancës për të rrëzuar rezolutën që kërkonte njohjen e genocidit serb në Kosovë.
Në një reagim, ai akuzoi Partinë Socialiste se me këtë votë ka treguar mungesë solidariteti me viktimat e krimeve serbe dhe me shtetin e Kosovës.
“‘Të kuqtë’ votojnë ‘kuq’ për të mos njohur genocidin serb në Kosovë! Maxhoranca rrëzon rezolutën për njohjen e genocidit serb në Kosovë!”, shkroi Shehu në Facebook, duke e quajtur aktin një vendim të turpshëm dhe politikisht të papranueshëm.
Sipas tij, rezoluta e propozuar nga opozita ishte hartuar në të njëjtën frymë me atë të miratuar më herët nga Kuvendi i Kosovës, dhe miratimi i saj do të kishte hapur rrugën për një mbështetje të qartë institucionale nga Shqipëria për të çuar çështjen e genocidit serb në instancat ndërkombëtare të drejtësisë, përfshirë Gjykatën Ndërkombëtare.
“Rama dhe maxhoranca e rrëzojnë. Nuk pranojnë kështu genocidin serb në Kosovë!”, përfundon reagimin e tij Shehu, duke akuzuar qeverinë se po shmang qëllimisht një qëndrim të prerë në mbështetje të Kosovës dhe të drejtës së saj historike.