
Deputeti i Partisë Socialiste, Ulsi Manja, i ka bërë thirrje opozitës që të marrë pjesë në protestën e thirrur nga veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e cila do të zhvillohet nesër në Tiranë.
Në fjalën e tij, Manja theksoi se refuzon të bëhet pjesë e debatit politik mbi atë “se kush e do më shumë Kosovën”, duke nënvizuar se Kosova është pjesë e pandarë e çdo shqiptari.
“Refuzoj të bëhem pjesë e këtij debati se kush e do Kosovën më shumë dhe kush më pak. Kosova është një pjesë e jona, është amaneti që e kemi thënë të gjithë – nuk falet, dhe secili e ka dëshmuar me vepra se kush e do më shumë Kosovën në momentin kur ajo ka dashur mbështetje prej nesh,” deklaroi Manja.
Deputeti socialist theksoi se në momentet më të vështira, kur makineria e Millosheviçit po përpiqej të shfaroste popullin e Kosovës, ishin shqiptarët që “rrokën armët dhe paguan me gjak” për pavarësinë që Kosova gëzon sot, ndërsa të tjerët hapën dyert për mijëra refugjatë.
“Mos na fusni në ndjeshmëri veri-jug, as të majtë e as të djathtë, sepse Kosova është pjesë e çdo shqiptari dhe çdo njeriu që ka gjak shqiptari,” shtoi ai.
Duke folur për rolin e kryeministrit Edi Rama në raport me Kosovën, Manja tha se shefi i qeverisë është “avokat i shkëlqyer i çështjes së Kosovës” në arenën ndërkombëtare.
“Sa për Ramën, ai s’ka nevojë për avokatinë time. Në cilësinë time si ish-ministër kam pasur rastin ta shoqëroj në disa vizita zyrtare në Europë dhe dua ta them publikisht se është avokat i shkëlqyer i çështjes së Kosovës. Me qëndrime të forta diplomatike, aty ku bëhet politika europiane dhe ndërkombëtare, ai ka kërkuar me forcë njohjen e pavarësisë së Kosovës nga pesë vende të BE-së që ende refuzojnë ta njohin,” theksoi ai.
Manja u shpreh se në protestën e nesërme në Tiranë, pjesëmarrja duhet të jetë mbi baza qytetare dhe kombëtare, jo politike.
“Patriotë me fjalë e rezoluta e deklarata bëhen të gjithë, por ju lutem, në protestën që do zhvillohet nesër në Tiranë, ne do shkojmë si qytetarë dhe si shqiptarë. Si mund të merret qëndrim politik për të mos dalë në protestë? UÇK është faqja e ndritur e luftës së Kosovës për pavarësi e liri,” tha deputeti socialist.
Ai shtoi se historia do të gjykojë secilin sipas kontributit të tij:
“Kur të shkruhet historia, Sali, të jeni i bindur që secili prej nesh e ka vendin aty me dritëhijet tona, me të mirat dhe të këqijat,” përfundoi Manja.