
Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi, Robert Gajda, në raportimin e tij të përvitshëm në Kuvend, u ndërpre disa herë nga kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazmend Bardhi.
Pavarësisht ndërhyrjeve të shpeshta të Bardhit – i cili u ndëshkua me masën përjashtim nga seanca – Gajda në fillim të fjalës së tij, u përqëndrua te debati për projektligjin e barazisë gjinore.
Gajda tha se projektligji është keqkuptuar, pasi sipas tij, nuk krijon gjini të reja, por vetëm përforcon edukimin dhe informimin për barazinë gjinore.
“Kemi evidentuar keqinformim dhe dezinformim për projektligjin e barazisë gjinore. Sa I përket konceptit të përkatësisë së shumëfishtë duket pasur parasysh që cdo njëri ka përkatësi të shumëfishtë: një person është burrë, besimtar në një fe të caktuar, mund të jetë me aftësi të kufizuara etj… ka disa përkatësi. Këto koncete I kemi të parashikuar.
“Përkatësia e shumëfishtë” lidhet vetëm me faktin që një person diskriminohet jo vetëm për shkak të gjinisë por edhe të një karakteristike tjetër të veçantë.
Një tjetër gjë që është thënë dhe shpreh shqetësim për këtë është fakti se ky projektligj prek dhe dëmton fëmijët.
Projektligji merr përsipër edukim dhe informim për fëmijët mbi të drejtat dhe barazinë gjinore. Projektligji nuk krijon një gjini tjetër shpreh nevojën e përfuzimit të gjinisë për të përfshirë persona që kanë realitete dhe kuptime të tjera dhe që nuk gjejnë veten të përfshirë”,- tha Gajda.