
Nënkryetari i Kuvendit, Agron Gjekmarkaj, ka reaguar ashpër ndaj mënyrës se si po funksionon Parlamenti, duke e akuzuar mazhorancën socialiste se po e trajton institucionin si “pronë private në shërbim të interesave të saj partiake”.
Në një deklaratë për shtyp, Gjekmarkaj e cilësoi situatën në Kuvend si “të paprecedentë dhe thellësisht shqetësuese”, ndërsa paralajmëroi se ndërprerja e debateve dhe pengimi i interpelancave përbëjnë “një akt të rëndë kundër demokracisë”.
Sipas tij, mazhoranca po përpiqet të heshtë opozitën dhe të shmangë çdo kontroll ndaj përfaqësuesve të institucioneve të drejtësisë që pritet të raportojnë në Kuvend për çështje të ndjeshme, përfshirë aferat korruptive.
“Ata nuk duan debat, nuk duan transparencë – gjithë qëndrimi i tyre synon të fshijë çdo zë kritik dhe të asgjësojë çdo kontroll demokratik,” u shpreh Gjekmarkaj, duke shtuar se ngjarjet e fundit janë “të provokuara në mënyrë të qëllimshme” për të vendosur një precedent të rrezikshëm.
Ai i bëri thirrje Niko Peleshit, që kryesoi seancën plenare, të veprojë si përfaqësues i të gjithë qytetarëve dhe jo si “ushtar i një partie”.
“Zoti Peleshi, është koha të silleni si Kryetar i Parlamentit të të gjithë shqiptarëve, jo si ushtar i bindur i një partie. Ushtrinë e keni kryer me kohë. Tani keni detyrimin të mbroni demokracinë,” përfundoi Gjekmarkaj.