
Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, reagoi ashpër pas rrëzimit në Kuvend të rezolutës së propozuar nga opozita për dënimin e gjenocidit serb në Kosovë, duke e cilësuar vendimin si “një akt të qëllimshëm dhe antikombëtar”.
“Nuk ka hipokrizi më të madhe,” tha Blushi, “se të kërkosh në një anë lirimin e drejtuesve të UÇK-së dhe në anën tjetër të votosh kundër një rezolute që dënon krimet serbe në Kosovë.”
Sipas tij, mazhoranca po ndjek një axhendë të diktuar nga Kryeministri Edi Rama, e cila bie ndesh me interesat kombëtare dhe me mbështetjen që Shqipëria duhet t’i japë Kosovës.
“Çfarë ndodhi sot në Kuvend është ajo që paralajmërova: shumica është e vendosur të ndjekë një kurs antikombëtar, që e lë Kosovën pa mbështetjen që meriton nga Shqipëria,” u shpreh Blushi.
Ai e konsideroi refuzimin e rezolutës si një mesazh të rrezikshëm, që dëmton të vërtetën historike dhe marrëdhëniet me partnerët strategjikë të vendit.
Blushi theksoi se Partia e Lirisë do të vijojë të denoncojë çdo veprim që synon të minimizojë ose relativizojë krimet e kryera ndaj popullit të Kosovës.