
Deputeti i Partisë Demokratike, Klevis Balliu, akuzoi mazhorancën socialiste se po pengon me qëllim debatin parlamentar për lidhjet me krimin e organizuar dhe abuzimet me fondet europiane IPARD.
Në një deklaratë për mediat pas seancës plenare, Balliu tha se refuzimi i mocionit me debat nga PS është një përpjekje për të mbuluar përfshirjen e emrave të rëndësishëm të kësaj partie në skandale kriminale dhe financiare.
“Arsyeja e vërtetë pse mazhoranca refuzoi debat për lidhjet me krimin dhe abuzimet me fondet e BE-së është e qartë: në të dyja rastet dalin emra të rëndësishëm të Partisë Socialiste,” u shpreh Balliu.
Sipas tij, në dosjet e komunikimeve të grupeve kriminale përmes platformave Sky ECC dhe EncroChat përmendet edhe emri i ministrit të Brendshëm Taulant Balla dhe personave të tjerë të afërt me qeverinë.
Deputeti demokrat shtoi se abuzimet me fondet IPARD, që synojnë zhvillimin rural dhe vijnë nga Bashkimi Europian, janë bërë për të favorizuar familjarë të zyrtarëve të lartë socialistë.
“Familja e Suel Çelës, të afërm të Frida Krifcës dhe familjarë të deputetëve të tjerë të PS-së kanë përfituar nga fondet IPARD,” deklaroi Balliu, duke e cilësuar qëndrimin e mazhorancës si një tentativë për të mbrojtur lidhjet e pushtetit me krimin.
Ai theksoi se opozita do të vazhdojë të kërkojë transparencë dhe përgjegjësi për çdo aferë që cenon interesat e qytetarëve dhe marrëdhëniet e Shqipërisë me Bashkimin Europian.