Presidenti Begaj ka deklaruar se Gjykata Kushtetuese nuk ka asnjë tagër mbi dekretet e tij.
Shqyrtimi i Begajt vjen pak ditë pasi Gjykata Kushtetuese shfuqizoi dekretin e tij për zgjedhjet e pjesshme në Tiranë
“Nuk ka asnjë shpjegim logjik dhe të arsyeshëm që të bindë palët e përfshira për faktin pse Gjykata Kushtetuese ka injoruar tërësisht aktet zyrtare të disa organeve shtetërore dhe qëndrimin e tyre të qartë se shkarkimi nuk bëhej në bazë të nenit 115 të Kushtetutës, por në bazë të nenit 62 të ligjit nr. 139/2015 dhe ka nxituar të marrë përsipër kompetencën, pa analizuar bazën ligjore të shkarkimit dhe pa e dokumentuar këtë analizë. Gjykata Kushtetuese ka kapërcyer kufijtë e kompetencave që i njeh Kushtetuta. Ky vendim i mbledhjes së Gjyqtarëve është antikushtetues dhe duhet të korrigjohet menjëherë. Gjykata Kushtetuese ka pranuar të shqyrtojë një akt administrativ, mbi të cilin nuk ka juridiksion, për shkak se nuk ka ditur si të pengonte veprimin e tij. Ky është arbitraritet i patolerueshëm për një sistem që vepron mbështetur në parimet e shtetit ligjor“.
Ekipi ligjor i Presidencës shkon edhe më tej, duke thënë se Kushtetuesja mund të kishte pezulluar vendimin e Këshillit të Ministrave për shkarkimin e Veliajt, e në këtë mënyrë, vlera e dekretit do të shuhej automatikisht, pasi nuk do të kishte vakancë.
“Nuk ka asnjë shpjegim të arsyeshëm e të logjikshëm për faktin pse Gjykata Kushtetuese nuk ka vendosur sot e kësaj dite pezullimin e VKM-së nr. 539, datë 25.9.2025, për të cilin vlerësonte se është kompetente, por ka vendosur pezullimin e një akti të Presidentit të Republikës që rrjedh nga VKM-ja nr. 539, datë 25.9.2025, për të cilin qartazi nuk ka asnjë kompetencë“.
