Vendosni fjalën kyçe....

Dhjetëra mijëra belgë protestë kundër qeverisë, përplasen me policinë (Video)


Policia e Brukselit përdori gaz lotsjellës dhe makina ujëhedhëse për të shpërndarë protestat e mëdha kundër shkurtimeve të propozuara nga qeveria në mirëqenien sociale.

Tre sindikatat më të mëdha të Belgjikës organizuan demonstratën dhe bënë thirrje për një grevë të përgjithshme të martën, në kundërshtim me masat e propozuara nga kryeministri Bart de Wever për të rritur moshën e pensionit dhe për të shkurtuar përfitimet sociale, shkruan Rt.

Organizatorët e protestës u thanë mediave lokale se deri në 120,000 njerëz dolën në rrugë, ndërsa policia e vlerësoi numrin në 80,000.

Pamjet e demonstratës tregojnë protestues që përleshen me forcat e rendit, duke hedhur fishekzjarre dhe duke valëvitur flamuj e pankarta.

Gert Truyens, president i sindikatës CGSLB, tha se protesta u desh të ndërpritej pasi një pakicë e dhunshme në mesin e demonstruesve u përlesh me policinë, sipas HLN.

“Këta nuk janë protestues, por njerëz që po shfrenohen,” citoi gazeta atë të ketë thënë.

Gjatë ditës, greva e përgjithshme ndikoi seriozisht në shërbimet e transportit publik dhe ngriu nisjet në aeroportin më të madh të Brukselit. De Wever, i cili u zgjodh në shkurt, ka propozuar masa shtrënguese për të trajtuar deficitin buxhetor në rritje të vendit.