
Me tone të ashpra po zhvillohet mbledhja e Konferencës së Kryetarëve, ku kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, ka debatuar me kryetarin e Kuvendit, Niko Peleshi.
Bardhi akuzoi Peleshin për shkelje të Rregullores dhe Kushtetutës, duke iu referuar mënyrës si u mbyll seanca e 9 tetorit.
Ai tha se Kuvendi po drejtohet nga “forcat e kartonëve” dhe se opozita nuk do të pranojë një institucion që “diktohet nga krimi i organizuar”.
“Ajo çfarë keni bërë me seancën e fundit është shkelje e rregullores dhe e Kushtetutës. Po e citoj këtu: “Kërkoi ndërprerjen e seancës për shkak se po merrej fjala për procedurë.”
Zoti Peleshi, ju keni marrë përsipër të drejtoni Kuvendin. Nëse Kuvendi drejtohet nga kryetari i grupit, na e thoni, sepse opozita nuk ka vend në një Kuvend që diktohet nga forcat e kartonëve. Nuk mund ta mbyllni Kuvendin pse deputetët po flasin.
Seanca e datës 9 tetor është mbyllur sepse deputetët po flisnin. E kuptoj që në atë Kuvend ka deputetë që forcën e marrin nga krimi i organizuar dhe mendojnë se mund të mbyllin gojën e të tjerëve. Ta harrojnë! Ne nuk marrim urdhra dhe as nuk diktohemi nga krimi i organizuar.
Po e përsëris: ta harrojnë! Nëse ju, zoti Niko Peleshi, nuk e mbani dot atë karrige, lërjani kryetarit të grupit që e keni aty me votat e krimit të organizuar”, tha Bardhi.