Vendosni fjalën kyçe....

Beqaj ironizon pas raportimit të Dumanit në ‘Ligjet’: SPAK-ut i mungonte në statistika hetimi i zyrtarëve të lartë


Ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, është paraqitur sot në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) për seancën e radhës në procesin gjyqësor që po zhvillohet ndaj tij për dosjen “Saspac”.

Në këtë seancë, e cila u zhvillua me dyer të mbyllura, Beqaj ka lexuar një deklaratë mbrojtëse, të siguruar nga gazetarja Klodiana Lala për BalkanWeb.

Në deklaratën e tij, Beqaj ironizoi raportimin e kreut të SPAK-ut, Altin Dumani, në Komisionin e Ligjeve të Kuvendit, duke thënë se vetëm dje e ka kuptuar arsyen pse ndaj tij është ngritur akuza për “korrupsion pasiv të funksionarit të lartë”.

“Në njoftimin e akuzës, më 17 shkurt 2025, unë akuzohem edhe për veprën e korrupsionit pasiv të funksionarit të lartë për veprime të kryera në cilësinë e Drejtorit të Përgjithshëm të SASPAC,” deklaroi Beqaj, duke kujtuar se procedimi penal ndaj tij është regjistruar më 6 shtator 2023 për veprën penale të korrupsionit pasiv të funksionarit publik, por më vonë është rikualifikuar.

Ai theksoi se vetë vendimet e GJKKO-së, si në shkallën e parë më 6 korrik 2024, ashtu edhe në Apel më 7 gusht 2024, arsyetojnë qartë se drejtori i përgjithshëm i SASPAC nuk është funksionar i lartë sipas Kushtetutës dhe Kodit të Procedurës Penale.

“Më ka habitur shumë kjo lloj akuze. Kam pritur ballafaqimin gjyqësor. Por nga dje e kuptova. Më sqaroi drejtuesi i SPAK me çfarë raportoi në Komisionin e Ligjeve. Mesa duket SPAK-ut i mungonte në statistika hetimi i funksionarëve të lartë që shpërdorojnë fonde të BE-së. Po ashtu kuptova edhe masën e sigurisë joproporcionale,” tha ai.

Beqaj shtoi se disa vendime të Gjykatës së Posaçme e kanë rrëzuar tashmë SPAK-un në cilësimin e statusit të “funksionarit të lartë”, por pavarësisht kësaj, struktura vijon me të njëjtin qëndrim.

Në fund të deklaratës së tij, ai kritikoi edhe institucionet e tjera të drejtësisë:
“SPAK vijon me të vetën, ndërsa Inspektori i Lartë i Drejtësisë fle gjumë.”