
Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, i është drejtuar me një shkresë Gjykatës Kushtetuese, ku kërkon që kjo gjykatë të shpallë moskompetencë për shqyrtimin e dekretit të tij që cakton datën 9 nëntor 2025 për zhvillimin e zgjedhjeve të pjesshme në Bashkinë e Tiranës.
Në dokumentin zyrtar, Begaj kërkon gjithashtu që në seancën e planifikuar më 31 tetor, Gjykata Kushtetuese të heqë masën e pezullimit të zgjedhjeve dhe të rrëzojë ankesën e ish-kryebashkiakut Erion Veliaj, duke e cilësuar atë si të pabazuar në Kushtetutë.
Presidenti kërkon që, pas heqjes së pezullimit, Gjykata të urdhërojë Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) për zhvillimin e procesit zgjedhor në Tiranë në një datë të re, që nuk duhet të jetë më e hershme se 30 ditë nga hyrja në fuqi e vendimit të Kushtetueses.
Në shkresën e tij, Begaj thekson se:
“Vetëm një procedim i tillë mund të rikthejë kushtetutshmërinë e procesit të ankimit, e cila është cenuar në mënyrë arbitrare nga vetë Gjykata Kushtetuese.”
Sipas kreut të shtetit, kërkesa e Veliajt nuk ka bazë ligjore, pasi shkarkimi i tij si kryebashkiak është akt administrativ dhe jo çështje që i përket juridiksionit të Gjykatës Kushtetuese.
Në këtë mënyrë, Presidenti Begaj kërkon që Kushtetuesja të konfirmojë vlefshmërinë e dekretit të tij për zhvillimin e zgjedhjeve në kryeqytet dhe të lejojë procesin zgjedhor të vijojë pa vonesa.
Pjesë nga shkresa e Begajt drejtuar Gjykatës Kushtetuese
Institucioni i Presidentit të Republikës, në cilësinë e palës së interesuar, i kërkon Gjykatës Kushtetuese:
Të deklarojë në fillim të seancës së shqyrtimit të datës 31.10.2025 moskompetencën lidhur me dekretin nr. 350, datë 1.10.2025;
Të vendosë në fillim të seancës së shqyrtimit të datës 31.10.2025 heqjen e pezullimit për dekretin nr. 350, datë 1.10.2025;
Të vendosë në përfundim të seancës rrëzimin e kërkesës së Kryetarit të shkarkuar të Bashkisë Tiranë, z. Erion Veliaj, si të pabazuar në nenin 115 të Kushtetutës;
Për shkak se pezullimi ka pamundësuar zhvillimin e zgjedhjeve për Bashkinë Tiranë në datën e dekretuar nga Presidenti i Republikës, të urdhërojë në përfundim të seancës KQZ-në për përgatitjen e zgjedhjeve për këtë bashki në datën që do të përcaktojë Gjykata Kushtetuese, datë e cila nuk duhet të jetë më e hershme se 30 ditë nga hyrja në fuqi e vendimit të Gjykatës Kushtetuese.
Në vlerësimin tonë si palë e interesuar, vetëm një procedim i tillë mund të rikthejë kushtetutshmërinë e këtij procesi ankimi, të cenuar në mënyrë arbitrare nga vetë Gjykata Kushtetuese.