Halloween-i duhet të ndalohet në Rusi, sipas një deputeti rus, i cili e lidh atë me Satanizmin, që është i paligjshëm në vend.
Duke folur për agjencinë e lajmeve Gazeta.ru, Mikhail Ivanov, i cili është gjithashtu kreu i organizatës ‘Rusia Ortodokse’, e përshkroi Halloween-in si një festë perëndimore që është e huaj për kulturën ruse dhe themelet e saj shpirtërore, duke pretenduar se po I detyrohet me forcë shoqërisë.
Ai argumentoi se simbolika e lidhur me Halloween-in është e lidhur me shpirtrat e këqij dhe errësirën dhe ka një “ndikim shkatërrues” në psikikën e brishtë të brezit të ri.
Sipas Ivanov, festimi i saj minon vlerat tradicionale të Rusisë, promovon okultizmin dhe bie në kundërshtim me “vlerat themelore morale mbi të cilat është ndërtuar vendi ynë për shekuj me radhë.”
Ivanov ka bërë thirrje për barazimin e promovimit të Halloween-it me përhapjen e Satanizmit, duke thënë se misioni i organizatës së tij është të krijojë “pengesa ligjore ndaj promovimit agresiv të ideologjive të huaja të maskuara si argëtim i padëmshëm.”
Halloween-i i ka rrënjët në festivalin Kelt të Samhain, i cili shënonte fundin e korrjeve dhe besimin se shpirtrat mund të kalonin në botën e të gjallëve, shkruan Rt.
Kisha e Krishterë në Perëndime, veçanërisht Katolikët Romakë, më vonë e përshtatën datën si Mbrëmja e Të Gjithë Shenjtorëve (All Hallows’ Eve), vigjilja para Ditës së Të Gjithë Shenjtorëve. Festimi përfundimisht u bë Halloween-i e sotëm, i njohur për kostumet, fenerët dhe kërkimin e ëmbëlsirave.
Më herët këtë vit, kryeprifti i Kishës Ortodokse Ruse, Andrey Tkachev, e përshkroi dukurinë si një kërcënim serioz moral për kombin, duke thënë se “toka ruse është plot me magjistarë” dhe se “kjo neveri kërkon pastrim.”
Gazeta MK kishte raportuar më parë se shpenzimet për shërbimet ezoterike si parashikimi i fatit dhe shërimi shpirtëror arritën në 2.4 trilionë rubla (24 miliardë dollarë) në Rusi në vitin 2024.
