Vendosni fjalën kyçe....

Franca pezullon reformën e pensioneve të Macron deri pas zgjedhjeve të 2027-ës, për të shmangur mocionin e mosbesimit


Kryeministri francez, Sébastien Lecornu, ka njoftuar pezullimin e reformës së pensioneve të miratuar në vitin 2023 – një nga projektet kryesore të presidentit Emmanuel Macron – deri pas zgjedhjeve presidenciale të vitit 2027. Vendimi vjen në përpjekje për të fituar mbështetjen e deputetëve socialistë dhe për të shmangur rrëzimin nga mocioni i mosbesimit që pritet të votohet këtë javë, përcjell Guardian.

Forcat e ekstremit të djathtë (Rassemblement National) dhe të majtës radikale (France Unbowed) kanë paraqitur tashmë mocionet e tyre, ndërsa Partia Socialiste ka paralajmëruar se mund të bëjë të njëjtën gjë. Pa mbështetjen e socialistëve, qeveria e Lecornu-t rrezikon të bjerë.

“Do t’i propozoj parlamentit, që këtë vjeshtë, pezullimin e reformës së pensioneve të vitit 2023 deri në zgjedhjet presidenciale. Nuk do të ketë asnjë rritje të moshës së daljes në pension deri në janar 2028,” tha Lecornu në fjalën e tij në Asamblenë Kombëtare.

Reforma, e cila ngriti gradualisht moshën e daljes në pension nga 62 në 64 vjeç, ishte detyruar të kalonte pa votim parlamentar dhe shihej si një nga arritjet kryesore ekonomike të Macron-it. Ministri i Financave, Roland Lescure, paralajmëroi se pezullimi do të ketë kosto të lartë buxhetore, “me miliarda euro deri në vitin 2027”.

Sipas Lecornu-t, vendimi do t’i kushtojë shtetit rreth 400 milionë euro në vitin 2026 dhe 1.8 miliardë euro në 2027, duke përfituar rreth 3.5 milionë persona. Ai theksoi se shpenzimet do të kompensohen përmes masave kursimi dhe kontributit “të jashtëzakonshëm” nga korporatat e mëdha dhe pasuritë më të mëdha të vendit.

Franca po përballet me krizën më të rëndë politike në dekada, që prej zgjedhjeve të parakohshme të vitit 2024, të cilat prodhuan një parlament të bllokuar mes tre blloqeve të barabarta: të majtës, ekstremit të djathtë dhe centristëve të Macron-it.

Kryeministri 39-vjeçar, i cili dha dorëheqjen javën e kaluar por u riemërua nga Macron-i, synon të sigurojë miratimin e buxhetit shtrëngues për vitin 2026 dhe të ulë deficitin nën 5% të PBB-së. Borxhi publik i Francës është aktualisht pothuajse dyfish i kufirit prej 60% të PBB-së të përcaktuar nga rregullat e BE-së, ndërsa deficiti vjetor arriti 5.8% të PBB-së vitin e kaluar.

Macron ka paralajmëruar se çdo mocion që rrëzon kabinetin do të çojë automatikisht në zgjedhje të reja parlamentare — një skenar që Elysee kërkon me çdo kusht ta shmangë.