Vendosni fjalën kyçe....

Dumani në Komisionin e Ligjeve: Ka procedim penal për “Eco Park”, prokurorët e SPAK janë përballur me kërcënime serioze


Kreu i Prokurorisë së Posaçme (SPAK), Altin Dumani, iu përgjigj sot pyetjeve të deputetëve në Komisionin e Ligjeve, ku u përfshi në një debat me deputetin e Partisë Demokratike, Klevis Balliu. Deputeti kërkoi informacion mbi hetimet për projektin “Eco Park” dhe për mënyrën se si SPAK po ndjek grupet kriminale në vend.

Dumani konfirmoi se për projektin “Eco Park” ekziston një procedim penal në zhvillim, por shtoi se, për shkak të sekretit hetimor, nuk mund të zbulojë më shumë detaje.
“Kemi një procedim penal për ‘Eco Park’ që është në këtë fazë, por më ndalon ligji të ndaj më shumë informacion me ju,” deklaroi ai.

Sa i përket hetimeve ndaj grupeve kriminale, kreu i SPAK theksoi se institucioni ka vepruar në përputhje me ligjin dhe ka ndjekur penalisht çdo rast për të cilin ka pasur prova konkrete.
“Vetëm SPAK nuk i kërkon dot përgjegjësi për grupet kriminale, sepse kemi ushtruar ndjekje për çdo grup. Ne kemi bërë detyrën tonë: të ushtrojmë ndjekjen penale, të ngremë akuza kur ka dhe të kërkojmë masa sigurie në gjykatë,” u shpreh Dumani.

Ai gjithashtu bëri të ditur se prokurorët e SPAK janë përballur me kërcënime serioze nga organizatat kriminale, por nuk janë tërhequr nga detyra e tyre.
“Prokurorët kanë rënë pre e kërcënimeve serioze, jo sa për t’u thënë, por i kanë përballuar me sukses, duke ndërtuar ndjekje penale të forta dhe të suksesshme,” theksoi ai.

Sipas Dumanit, vetëm gjatë vitit 2024 janë goditur 16 grupe kriminale, ndërsa trendi i hetimeve ndaj krimit të organizuar mbetet pozitiv.
“Duhet bërë më shumë, por kaq janë mundësitë,” përfundoi kreu i SPAK.